Deputetët nga opozita e re shprehen pro shpërndarjes së parlamentit duke e parë si një zgjidhje të krizës. Madje me tone zhgënjyes nga kolegët që u futën në kuvend pas 30 qershorit shtojnë se kjo është domosdoshmëri.

Lefter Maliqi Mezi po pres që në datën 15 mars që presidenti të vijë në parlament dhe ta shpërndajë atë, sepse është parlament ilegjitim.

Socialistet pas manifestimit të 2 marsit nuk kanë ndryshim të qëndrimit. Madje tregohen edhe më të ashpër ndaj presidentit.

Ermonela Felaj Presidenti dhe kushdo mund të vijë në parlament, por jo të bëjë marrëzira të tilla, sepse nuk lejon kushtetuta, jo parlamenti.

Deputeti Xhemal Qefalia, thotë se Presidenti duhet të kthejë sytë tek ajo që përmend gjithnjë, te kushtetuta, për të kuptuar se s’mund ti shkarkojë.

Xhemal Qefalia Pra do t’i besojmë presidentit që thotë të mbrojmë kushtetutën, apo presidentit që thotë do të shpërndajë parlamentin duke shkelur kushtetutën. Unë besoj te e para që ai do ta mbrojë kushtetutën. S’mund ti bëhet presion parlamentit. Nëse ka shkelje anti-kushtetuese do të shikohet në komision sipas rregullave kur ligjet kthehen nga presidenti.

Gjatë manifestimit të 2 marsit, kreu i shtetit paralajmëroi se nëse mazhoranca do të vijojë të mos marrë parasysh dekretet e tij, atëherë ai do të presë marsin si afat për miratimin e reformës zgjedhore për të shpërndarë parlamentin.