Djali i diktatorit Enver Hoxha dhe Nexhmijes, Iliri ka konfirmuar lajmin se nëna e tij ndërroi jetë në moshën 99-vjeçare. Në një njoftim, ai ka dhënë të gjitha detajet e varrimit të të vesë së diktatorit Hoxha, duke u shprehur se ajo dhe i ati jetën e tyre ia dedikuan Shqipërisë.

“Ajo gjithë jetën e saj ia kushtoi lirisë së Atdheut dhe ndërtimit të Shqipërisë së re, përparimit dhe emancipimit të shoqërisë shqiptare, ndaj dhe ne do të ndjehemi përherë krenarë për emrin dhe veprën e saj. Kujtimi i saj gjithmonë do të mbetet i paharruar për familjen tonë dhe të gjithë miqtë dhe dashamirësit e saj, në Shqiperi dhe kudo në botë” bën me dije Ilir.

Gjithashtu mësohet se varrimi do të bëhet ditën e nesërme në orën 12, pranë eshtrave të bashkëshortit të saj në varrezat e Sharrës.

Reagimi i plote

Të nderuar miq e dashamires të familjes të Enver Hoxhes. Me hidhërrim të thellë ju bej me dije, se sot më datë 26 shkurt 2020, në moshen 99 vjeçare u nda nga jeta nëna jonë, Nexhmije Hoxha. Ajo gjithë jetën e saj ia kushtoi lirisë së Atdheut dhe ndertimit të Shqiperisë së re, perparimit dhe emancipimit të shoqërisë shqiptare, ndaj dhe ne do të ndjehemi perhere krenarë për emrin dhe veprën e saj. Kujtimi i saj gjithmonë do të mbetet i paharruar për familjen tonë dhe të gjithë miqtë dhe dashamirësit e saj, në Shqiperi dhe kudo në botë. Me respekt Ilir Hoxha. Shënim: Homazhet dhe percjellja për në varrezat e Sharrës do të behet nga Funeral Home Alba 2000 (prane Medresesë) nga ora 9 deri 12 të datës 27 shkurt. Në ditët pas varrimit, presim për ngushëllime në shtepine tonë, në Laprakë (pranë Sheshit Shqiponja) Jeni të mirëpritur. Faleminderit