Sipas njoftimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shkodër, gjatë kontrollit zyrtar në Pikën e Kalimit Kufitar të Hanit të Hotit, janë bllokuar 385 kg produkte ushqimore të cilësuara si ndihma humanitare, me origjinë nga Mali i Zi dhe me destinacion Durrësin, për arsye se në momentin e hyrjes në vendin tonë këtyre produkteve u kishte mbetur afat përdorimi, më pak se gjysma e jetëgjatësisë së deklaruar në etiketë.

AKU bën me dije se pas kontrollit fizik të bërë nga Trupa Inspektuese, këto produkte ushqimore: çaj me afat përdorimi datë 04.03.2020, Lëng Frutash me afat përdorimi datë 29.02.2020, Drithra me afat përdorimi datë 26.02.2020, rezultuan në kundërshtim me Urdhrin e Ministrit Nr.250, pasi në momentin e hyrjes në territorin e Shqipërisë produktit i kishte mbetur me pak se gjysma e jetëgjatësisë së tij (Afatit të përdorimit) të deklaruar në etiketë.

“Për rrjedhojë këto produkte ushqimore do të kthehen në vendin e origjinës, në Mal të Zi, me dakordësi edhe të subjektit importues” njofton AKU.