Kryeministri Edi Rama u ndal me një fjalim para studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, të cilët sot heqin kapelen e studentit me shpresën për të veshur bluzat e bardha të mjekut. Në ceremoninë e diplomimit në Pallatin e Kongreseve, gjatë fjalës së kreut të qeverisë, nga të pranishmit u dëgjua një student të flasë me të lartë kundër tij, duke folur për fenomenin shqetësues të largimit të të rinjve jashtë Shqipërisë për të punuar atje si mjek. “Arratisje…” u dëgjua një pjesë e të riut i cili foli nga vendi ku ishte ulur në mesin e qindra të pranishmëve. Ndërkohë kryeministri e ktheu përgjigjen me batutë.
“Është një individ në shërbimin tuaj që të filloni ushtrimin e profesionit sapo të hidhni kapelen, merreni edhe jepini recetën e duhur në kohën e barnave të rimbursueshme i merr falas dhe nesër është i kthjellët” tha Rama.
Por teksa vazhdoi fjalimin duke folur për mbështetjen që qeveria u ka dhënë mjekëve të rinj, edhe përmes trajtimit me bonus mujor për ata që do të punojnë në spitale larg vendbanimit të tyre, i riu ndërhyri sërish.
“A e di që vetëm broçkulla flet…” u dëgjua me vështirësi zëri i tij përmes transmetimit Live në faqen e kryeministrit në Facebook, por sërish Rama i dha një përgjigje duke lënë të kuptuar edhe shqetësimin që nuk u dëgjua për publikun nga ekrani.
“Po jepjani recetën atij..edhe kjo nuk e di a e dëgjuat por ndërkohë që djalin duhet ta shoqëroni për të marrë shërbimin e shpejtë mjekësor, unë mund t’i përgjigjem edhe asaj pyetjeve, se a e dini që studentët që arsimohen sot janë vetëm të pasur, ka përgjigjen që kjo është e pavërtetë për faktin se sot ndryshe nga deri dje studentët janë të trajtuar më mirë se deri dje dhe këtë besoj e dini të gjithë ju që jeni studentë, dhe prindërit. Nëse ata të cilët janë të shkëlqyer kanë një trajtim të posaçëm, kanë një trajtim të dedikuar edhe ata të cilët vijnë nga familje me vështirësi ekonomike. Tek ata që janë të shkëlqyer ka plot që janë me vështirësi ekonomike, dhe janë dëshmia më kuptimplotë e të vërtetës se vështirësitë ekonomike nuk janë justifikim, por nxitje se përmes notave të shkëlqyera pajisjen me armët e duhura për të nxjerrë edhe familjen e tyre nga varfëria ekonomike. Nuk mund të trajtohen njësoj ata që janë të shkëlqyer me ata që nuk shkëlqejnë” tha Rama.