jo foto është një skenë krimi. Ato 5 kamera, të mbivendosura mbi njëra – tjerën, bërtasin për korrupsionin që bëhet në mes të rrugës, në derën e institucioneve shqiptare. Është korrupsion që bëhet pikërisht nga ata që duhet ta luftojnë, një institucion që varet nga Ministri i Brendshëm, për më tepër fare i ri, Illyrian Guard. Kjo është historia e një korrupsioni të dyfishtë, me një dorë.
Në datën 12 dhjetor, vetëm 16 ditë pas tërmetit tragjik, kur gjithë shqiptarët kontribuonin falas për të shëruar plagët, Illyrian Guard mendonte të bënte ca para.
Shpall tenderin: “Për marrjen me qera operacionale për pajisjen me sisteme alarmi dhe kamera vëzhgimi të objekteve”. Në pamje të parë nuk ka asgjë të keqe. Kompania e sapokrijuar shtetërore, që po paguhet po nga institucionet shtetërore për sigurinë e objektit, duhet të pajiset me mjetet e punës. Vetëm realiteti në institucione e kompromenton rëndë tenderin. Të gjitha insitucionet që ruhen nga Illyrian Guard, i kanë tashmë kamerat e sigurisë.
Kjo foto e drejtorisë së Tatimeve, tregon në mur kamerat e vendosura më parë. Ato janë në gjendje pune dhe të cilësisë së mirë për të kryer detyrën. Pse i duhen kamerat e tjera Illyrian Guard?
Interesimit të Dosja.al iu përgjigjën me argumentin se kamerat aktuale janë për monitorimin e punonjësve dhe jo për kontrollin e territorit. Ky është një argument qesharak për të justifikuar një grabitje në mes të sheshit nga një institucion në varësi të Ministrisë së Brendshme.
E para, që asnjë institucion nuk ka vënë kamera për monitorimin e punonjësve dhe, e dyta, edhe nëse do ta kishte bërë këtë, mjafton që këndi i kamerave të ndryshojë dhe kursehen 4.5 milionë euro.
Rreth 5 milionë dollarë, aq sa SHBA dhuroi për rindërtimin në Konferencën e Donatorëve në Bruksel, do të bëhen rrush e kumbulla nga Illyrian Guard.
Në foto duket qartë, që janë vënë kamerat e reja, pothuajse në të njëjtin pozicion, për të bërë të njëjtën punë. Kjo zbulon aktin e dytë të vjedhjes në dritë të diellit dhe nën vëzhgimin e kamerave të sigurisë. Kush i ka vënë kamerat? Tenderi i shpallur në 12 dhjetor, zhvillohet në 24 shkurt, atëherë si janë vendosur kamerat?
E vërteta është se njëra nga kompanitë e përfshira në tender, tashmë ka cuar materialet. Kamerat janë vënë pa u zhvilluar tenderi, që mesa duket është vetëm legjitimim i një vjedhjeje të kryer. Një vjedhje e dyfishte, që blen një mall që nuk duhet dhe ia blen klientit të paravendosur. Këtu mbyllet denoncimi. Nesër do harrohet gjithçka, kur të ndahen paratë. Drejtësia e re është pak e zënë.