Një shumë prej 1.15 miliard euro në formë financimesh direkte, investimesh për ndërtime banesash apo rikonstruksione të infrastrukturës, granteve, huave apo mbështetjes për programe zhvillimi u grumbullua dje në mbrëmje në përfundim të Konferencës ndërkombëtare të donatorëve, e zhvilluar në Bruksel për të ndihmuar Shqipërinë për të përballuar pasojat e tërmetit që goditi vendin më 26 nëntor të vitit të shkuar.
Shuma e grumbulluar shkon përtej dëmeve të përllogaritura në 1.08 miliard euro.
Në emisionin Opinion, Arben Ahmetaj Ministër i Shtetit për Rindërtim tregoi disa shifra, edhe pse ende jo zyrtare, ku tha se 400 milionë janë grante ( para të dhuruara) dhe pjesa tjetër kredi të buta.
Por sa rrezik ka që kjo shumë e deklaruar të mos mblidhet?
Arben Ahmetaj: Gjithmonë ka firo të vogla, që varet nga administrata shqiptare si e ndjek. Franca kishte firo se nuk iu deshën, Serbia ka patur një firo rreth 20 përqind. Ka vende që shkon deri në 40 përqind. Varet nga administrim. Këtu kemi tre duar kryesore, Komisioni Europian, Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqia dhe pastaj grantet e vogla.
Ndërkohë ministri tregoi se cila është dhe sfida kryesore: “Kjo administratë duhet të arrijë në kohë rekord, në 2 vjet, ti vendosë në zbatim të githë ato para. Sidomos grantet”