Me anë të një draft raporti, PE i rekomandon Këshillit, Komisionit dhe përfaqësuesve të tjerë të lartë që të çelin menjëherë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa për Kosovën rekomandon liberalizimin e vizave.
Në draftin që mban datën 7 shkurt, vetëm pak ditë pas vizitës së Presidentit të PE, David Sassoli në Tiranë, organi ligjvënës evropian ka sanksionuar frymën pro çeljes së negociatave me Shqipërinë.
Kapitujt që duhet të çelen të parët dhe të mbyllen të fundit janë ato që kanë të bëjnë me drejtësinë, krimin e organizuar dhe korrupsionin, por pa lënë jashtë vëmendjes të drejtat e njeriut dhe lirinë e medias, shkruan drafti.
Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një pikë e rëndësishme sipas ligjvënësve evropianë.
Në pikën S, ata parashtrojnë nxitjen për reformën zgjedhore që të sigurohen zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparentë në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Parlamentarët u sugjerojnë organeve të tjera që të shohin me kujdes pasojat negative që dha vendimi i mos çeljes së negociatave në 2019.
Çelja e negociatave me dy vendet, sipas tyre do të rikthente besueshmërinë e procesit. Sipas ligjvënësve duhet siguruar përpjekje që në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të kapërcehet polarizimi politik dhe bojkotet parlamentare të zgjatur dhe kjo duke forcuar mbikëqyrjen parlamentare.