70 të dënuar në burgun e Reçit në Malësinë e Madhe janë futur në grevë urie prej tre ditësh, pasi nuk kanë mjekë. Denoncimin e bëri në një lidhje telefonike për Report Tv nga burgu i Reçit i dënuari Mikel Thani. I burgosuri u shpreh se shkak i hyrjes në grevë të 70 personave nga 700 të dënuar që po vuajnë dënimin në këtë institucion është mungesa e mjekëve, por shqetësimet janë të shumta. Ai kërkoi që t’u garantohet një vend për zhvillimin e grevës deri në momentin që të shkojnë nga Tirana përfaqësues të ministrisë së Drejtësisë, Burgjeve por edhe Avokatit të Popullit. Mikel Thani akuzoi drejtorin e këtij burgu për arrogancë dhe shtoi se janë kërcënuar me transferim.

“Problemi jonë është që nuk kemi mjek në burg për problemet shëndetësore që kemi. Ne kemi bërë një krim që kemi ardhur në burg. Unë jam dënuar për vrasje të mbetur në tentativë, por mjek nuk kemi. Në grevë janë 70 vetë që prej ditësh kemi refuzuar ushqimin. Ne kërkojmë të drejtat tona, një ambientet tamam për të bërë grevën. Nuk ka ardhur asnjë mjek me na matur tensionin, apo me pyetur. Vetëm se mbyllin dyert. Ne kërkojmë një vend me zhvilluar grevën, është me ligj. Derisa të vijë përfaqësuesi i ministrisë, avokati i popullit apo drejtoria e burgjeve.

Grevën tani po e zhvillojmë në dhomat tona. Nuk ka asnjë shqetësim për sigurinë. Po marrim kërcënime për transferim në Burrel, Korçë, Tepelenë, me na ardhur familja atje. ‘Ne do u transferojmë’ thonë titullarët e institucionit. Mosha e atyre që janë në grevë është nga 25 60 vjeç. Drejtori nuk duam të vijë, pasi është arrogant, i burgosuri me nivelin më të ulët flet më mirë se ai. Dyqanin këtu e ka kushëriri i Paulin Sterkajt dhe nuk mundesh me folur me negociuar për çmimin. Kur ta jep faturën sikur ke blerë dicka ta jep sikur ke blerë karta telefoni. Një kg oriz këtu bën 2500 lekë” deklaroi ai në Report Tv.