Në fushatën elektorale të vitit 2013 kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, bëri një lëvizje ndryshe politike për të “rinovuar” emrin e partisë dhe në tërësi lidershipin e saj.
Tashmë PS-ja do të dilte në fushatë nën siglën e “Rilindjes”. E në fakt kjo nuk do të kalonte pa u përfolur nga opinion i gjerë publik, por edhe nga elementë të brendshëm të Partisë Socialiste.
Pikërisht nën siglën tashmë të Rilindjes, Rama do të ndryshonte një pjesë të madhe të lidershipit të deriatëhershëm të partisë duke krijuar edhe qeverinë e dalë nga zgjedhjet e reja me figura që thuajse nuk kishin kontribut në parti.
Njëjtë duhet thënë siç ndodhi me figurat e kandiduara në zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar. Për hirë të së vërtetës pjesa më e madhe e emrave të kandidatëve në zgjedhjet vendore që do të ishin edhe kryetarët e ardhshëm të bashkive, nuk njiheshin për ndonjë lidhje apo kontribut historik në Partinë Socialiste.
Ç’ka do të sillte më pas edhe diferencimin e themeluesve të PS-së nga ajo që u cilësua si “rënia e kryetarëve të bashkive të majta”. Deri në momentin që flasim 2 ish-kryetarë të majtë bashkishë të dalë nga procesi zgjedhor i qershorit të vitit të kaluar, janë shkarkuar nga detyra për shkelje të Ligjit për Dekriminalizimin.
Ajo që do të përbënte edhe paradoksin më të madh në gjithë këtë histori, ishte fakti sesi kishte mundësi që në zgjedhjet e qershorit kur PS-ja kandidonte thuajse e vetme kishte përfshirë në listë edhe njerëz me të shkuar problematike që nuk justifikonin dot dekriminalizimin.
Pikërisht kjo është edhe pyetja që është shtruar publikisht muajt e fundit. Pra a ka përgjegjësi Partia Socialiste dhe kryetari i saj z. Edi Rama për “rënien” e kryetarëve të baskive të majta?
Në fakt për këtë çështje janë mbajtur dy, madje edhe tre qëndrime të ndryshme.
Për shkakrimin e Valdrin Pjetrit të Shkodrës dhe për Agim Kajmakun e Vorës, vetë kreu i PS-së Rama është shprehur se Partia nuk ka pse të mbajë mbi shpinë askënd, ndaj ata që kanë shkelur ligjin t’i bëjnë vetë llogaritë dhe të mbajnë përgjegjësi.
Ndërkohë që për publikimin e videos së një tjetër kryebashkiaku që shfaqet duke konsumuar lëndë narkotike, Rama zgjodhi të heshtë.
Ndërsa për të paktën 3 kryetarë të tjerë bashkishë, atë të Matit, Vaut të Dejës, dhe Mallkastrës, Rama ka thënë se janë sulme politike dhe se ata janë njerëz që i kanë larë hesapet e tyre me të shkuarën.
Nga Edison Balla