Vjosa Osmani e mandatuar tashmë nga 65 deputetë si kryeparlamentare e Kosovës ka reaguar pas marrjes së postit të rëndësishëm me formimin e qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e 6 Tetorit.

Ajo ka falenduar mbështetësit dhe ata që I kanë besuar këtë detyrë të rëndësishme, ndërsa ka shprehur edhe sfidat që e presin qeverinë e sapo formuar.

Osmani thotë se marrëveshja mes dy subjekteve, LDK dhe VV është zbatim I vullnetit të qytetarëve ndërsa premton se do të jenë “aty për ju dhe për çdo pëllëmbë të Kosovës”

Reagimi i plotë:

Të dashur e të respektuar qytetarë,

Gjatë gjithë angazhimit tim politik, qe gati 2 dekada, një gjëje nuk i jam ndarë asnjëherë: respektimit të vullnetit tuaj.

Gjithë jetën time në politikë e kam pasur një referencë: Dr. Ibrahim Rugova.

Asnjëherë, pavarësisht pengesave gjatë rrugës, nuk kam reshtur së punuari që vullneti i qytetarëve të Republikës sonë të jetësohet.

I falenderoj të gjithë qytetarët e Kosovës që kurrë nuk u ndalën se besuari se është vota e vullneti i tyre që do të bëjnë ndryshimin e madh në vendin tonë të dashur.

I falenderoj të gjithë deputetët për besimin që të udhëheqë Kuvendin e Republikës së Kosovës, tempullin e demokracisë ku përfaqësohet sovrani. Falenderoj Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë time të 20 viteve, për besimin dhe përkrahjen.

Uroj Qeverinë e Republikës së Kosovës, udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti dhe gjithë kabinetin qeveritar për marrjen e detyrës dhe shpresoj që me punën e tyre do të na bëjnë të gjithëve krenarë. Do të punojmë fort dhe bashkë me njëri-tjetrin e me miqtë e Kosovës që ky vend, të jetë i denjë për të mos e braktisur kurrë.

Asnjëherë, të dashur qytetarë, nuk do të harrojmë se jemi aty për Ju e për secilën pëllëmbë të Kosovës. Secili prej nesh është mirënjohës ndaj jush dhe vullnetit Tuaj, deri në përulësi.
Nderimi ynë më i madh për të gjithë ata që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë, deri edhe jetën e tyre, do të jetë nëse me nder e përgjegjësi punojmë për të gjallët dhe nëse Kosovën e bëjmë vend me të cilin krenohen gjeneratat pas nesh.

Ne, jemi Ju!

Sinqerisht e Juaja,
Vjosa Osmani-Sadriu