Me 102 vota pro, 2 kundër dhe 1 abstenim Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin për amnistinë që liron nga qelia 175 të burgosur. Por kush janë 175 të dënuarit që do të lirohen? Nga amnistia përfitojnë të gjithë të dënuarit që deri në datë 31 dhjetor të vitit të kaluar janë dënuar me vendim të formës së prerë.
Përfitojnë burrat të dënuar deri në 2 vite dhe në moshën mbi 60 vjeç, që llogaritet se janë 150 në total, 23 gra dhe 2 të mitur, ndërsa 29 gra përfitojnë 1/3 e uljes së dënimit.
Opozita në Kuvend kërkoi zgjerimin e kategorive që përfitojnë, por dy propozimet e deputetit Myslim Murrizi u rrëzuan nga shumica socialiste. Murrizi kërkoi që të lirohen të gjithë burrat që janë dënuar apo janë në proces për vepra që dënohen deri në 2 vite dhe 3 vite për gratë. Gjithashtu ai kërkoi që të falen të gjitha gratë që janë në burg, por shumica i rrëzoi amendamentet.