Ka zgjatur më pak se një vit arratia nga burgu e të riut shqiptar Ervis Markja, i cili kishte arritur të largohej nga një burg në Carinola, më datë 26 maj 2019.

27 vjeçari i cili vuante një dënim për vjedhjen e apartamenteve dhe rezistencën ndaj punonjësve të policisë, arriti që të arratisej nga burg, së bashku me shokun e tij Adriatik Gega (ende në arrati), duke prerë hekurat e qelisë dhe duke ikur me ndihmën e çarçafëve, shkruajnë mediat italiane.

I arratisuri nga Carinola u gjurmua dhe ai ndodhej pranë Napolit, në një vend ku ish e dashura e tij festonte ditëlindjen. Agjentë të policisë ishin kamufluar si të ftuar, duke bërë edhe arrestimin e tij.

Operacioni, i planifikuar deri në detajet më të vogla, u krye pas një aktiviteti hetimi të detajuar, intensiv dhe të pandërprerë i drejtuar nga Prokurori i Republikës së Santa Maria Capua Vetere dhe i deleguar në Policinë Gjyqësore.

Policia kishte studiuar me kujdes lidhjet që Markja kishte me botën e jashtme, ndërsa pas arrestimit, ai u dërgua në burgun e Napolit.