Ndahet nga jeta Gjele Gjikola, nëna e fundit prej të mbijetuarave që iu vdiqën fëmijët në kampin e Tepelenës. Gjela barti me vete dhimbjen e tejskajshme për humbjen e gjysmës së saj, Dilës, vajzës vetëm 3 vjeçe që i vdiq e etur për një pikë ujë në kampin e ferrit.

Nënë Gjela nga Kurbneshi, mbylli sytë në moshën 96 vjeçare  ndërsa afro 55 vite i kaloi me idenë se një ditë do gjente eshtrat e vogëlushes së saj.

“Në kampin e Tepelenës lashë shpirtin”, ka thënë në një prej intervistave më të fundit nënë Gjela, një grua që barti tërë jetën shumë dhimbje e kujtime nga kampi famëkeq që nuk kurseu askënd dhe bëri nënat të gërmonin me thonj për të gjetur eshtrat qumështore të fëmijëve të tyre, vdekur në kamp.