Prej pasdites së djeshme Prrenjasi është në gjendje shoku. Ardian Vreto, shefi i policisë bashkiake humbi jetën në mënyrë tragjike pas një aksidenti rrugor që nuk ndodhi as në segmente të rrezikshme të aksit Librazhd-Prrenjas dhe as në kushtet e një moti të keq.

Aksidenti tragjik përkundrazi ndodhi në një rrugë që kishte pamje të bollshme e që nuk përbënte asnjëherë rrezikshmëri të lartë, siç thonë ata që janë përdorues të rregullt të këtij segmenti rrugor.

Ardian Vreto ka qenë në krye të detyrës deri në orën 16.00. Më pas, ai ka marrë automjetin e tij për t’u kthyer drejt familjes në qytetin e Librazhdit, pa e ditur se ato minuta nga Prrenjasi në Librazhd do të ishin të fundit për të.

Përplasja me një makina benz ML nga Durrësi i shkaktoi vdekjen. Edhe pse u dërgua në spital, dy prej policëve të patrullë rrugore me shërbim në zonën e Qafë Thanës dhe të mbërritur menjëherë aty thanë se thuajse e kishte humbur jetën në moment kolegu i tyre.

Por kush është Ardian Vreto. Ai njihet në qytetin e Prrenjasit dhe Librazhd si një prej oficerëve të Policisë, ndër më të mirët në zonë. Babai i dy fëmijëve, vajzës që studion për juridik në Tiranë dhe djalit më të vogël, 45 vjeçari është edhe vëllai i kryetarit të Partisë Demokratike të Librazhdit Bujar Vreto.

Ardian Vreto ka studiuar në Akademinë e Rendit dhe ka kryer disa funksione, mes të cilëve shef e inspektosh krimesh shpesh në shumë zona të vendit. Së fundi, për shkak edhe të politikës, e cila në lokalitete është edhe më e dukshme kishte filluar punë si shef i policisë bashkiake në Prrenjas, në kohën kur drejtohej nga kryebashkiakja e LSI, Miranda Rira.

Për fatin e tij kryetari i ri nuk e kishte larguar, duke bërë që ai të vijonte punën, për të cilën siç thonë miqtë e tij e kishte me mjaft pasion, ëndërr që iu pre në mes.