Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, e cilësoi pjesë të profesionit edhe presionin që i kishte bërë gjatë ndeshjes gjyqtarit Meta, edhe në rastet kur nuk kishte pasur të drejtë, Në SuperSport ai deklaroi se skuadra e tij ishte paraqitur mirë e duhej pak kohë që të integronte të rinjtë.

“Pjesën e parë kemi luajtur me më shumë kujdes dhe plani ynë ishte të hapnim lojën në pjesën e dytë. Ky është fillimi dhe është mirë të kemi përqendrim maksimal. Siç e dimë, ekipi i Laçit luan me tre sulmues në kundërsulm. Sot kishim dy futbollistë që erdhën gjatë dimrit, Adili dhe Hristov dhe është pak e vështirë derisa të inkuadrohen në ekip. Në fund futëm edhe Sidorenkon, kishte edhe disa raste në pjesën e dytë por sipas mendimit tim humbëm dy pikë të vlefshme.

Unë jam i qetë dhe është normale të bësh presion, ndonjëherë edhe presioni është gjë pozitive. Atë që e pashë gjatë ndeshjes mendoj se është penallti, por ai është mendimi i arbitrit. Normale që edhe tifozët e shohin se është penallti dhe do të reagojnë. Duhet të ketë reagim, nuk është teatër. Kjo është lojë për burra. Reagimi është i momentit por a është apo jo penallti atë e gjykon gjyqtari. Unë jam shembull, kërkoj pikë, por nuk kam sharë e ofenduar se luftojmë për pikë.

Unë e shoh ekipin si kolektiv dhe besoj se do të bëjë më të mirën, e shoh jo si individ. Dua të kemi durim dhe të gjithë lojtarët të ndërtojnë ekipin.

Për të bërë lojë duhet fushë e mirë. Ushtrojmë në stadium jo të përshtatshëm, është pika e dobët e Vllaznisë. Kemi folur me bashkinë dhe po flasim për të ndërtuar një terren dhe kanë reaguar pozitivisht dhe deri në verë do të jetë gati fusha e stërvitjes se e dimë që në Shkodër ka reshje shiu”, tha Jonuz.