Analiza e TURPIT

Të vish në Shkodër si hajduti në erresirë, e të largohesh si i tillë, këtë di ta bëjë vetëm Ardi Veliu, njeriu që drejton në mënyrë kriminale policinë e shtetit.

Në analizën vjetore të Drejtorisë Vendore të Policisë të Qarkut Shkodër, Veliu paska folur ashpër e madje me tone kërcënuese ndaj “vjedhësve”.
Duke e quajtur shqetësimin kryesor në Shkodër, një çështje që nuk do të duhej të ishte në listën e policisë aspak si shqetësim, Veliu i kushtoi të gjithë vëmendjen pikërisht asaj.
Asnjë fjalë për krimin që në Shkodër ka bërë kërdinë, duke arritur të prekë edhe kupolën e policisë, me të cilët ka luajtur siç ka dashur.
Nuk guxoi të flasë për vrasjet e njëpasnjëshme e zhdukjet pa autor, sepse nuk ka qoftë edhe një argument me se të mbrohet, pasi policia që ai drejton ka dështuar në luftën me krimin e organizuar dhe bandat që kanë marrë peng Shqipërinë.Ata nuk mund dhe nuk duhet të luftohen, pasi qeveria që ka ulur në atë karrige Veliun, bashkëqeverisë me ta, u jep tendera e pushtet.

Në 2019 ndodhen 2 vrasje në Dukagjin, por kreu i policisë Veliu nuk tha gjysmë fjale, pasi nuk ka arritur të zbardhë as shkaqet dhe as autorët.
Të mos flasësh për shqetësimin real që kanë sot shqiptarët, siç është rendi dhe siguria publike, është më shumë se krim.Është një skenar i organizuar nga kjo qeveri e bandave që në njërin krah të varfëron, e ne krahun tjetër ushtron terror tek qytetarët e saj, duke mos i ofruar asgjë, as minimumin e sigurisë.

Veliu duhet ta dijë se një nga shkaqet që sot po ikën rinia është pikërisht rendi dhe siguria, mungesa e shpresës në një vend si ky i yni ku i forti vendos.

Ai për sa kohë që paguhet me paratë e shqiptarëve nuk mund të vijë e tu bëjë karshillek as vartësve të tij dhe asnjë qytetar. Nëse në paaftësinë e tij dhe frikën që e ka kapluar mendon se mund të gënjejë publikisht apo të fshehë realitetin e zymtë, gabon sepse shqiptarët e njohin mirë atë që përfaqëson sot policia e Veliut.