Këngëtari i “You’re Beautiful”, ish-kapiten në regjimentin e lartë të Ushtrisë britanike, gjatë një interviste për një program të radio BBC-së, ka thënë se ka rrezikuar të paraqitet para gjykatës së lartë ushtarake duke mos respektuar urdhrin e Gjeneralit Wesley Clark për t’i sulmuar forcat ruse në Kosovë.

Blunt, aso kohe 25-vjeç, ka qenë duke komanduar trupat britanike që ishin urdhëruar për ta marr nën kontroll Zonën Ajrore të Prishtinës qershorin e vitit 1999.
Mirëpo, 200 ushtarë rusë arritën atje të parët, ndërsa nga Blunt ishte kërkuar që t’i largonte ata.
Blunt tha se Gjenerali Clark kishte kërkuar nga ai t’i “shkatërronte” rusët. Blunt ishte në krye të një kolone prej 30,000 trupash të NATO-së me njësitin e tij.

“Më ishte dhënë urdhri direkt për t’i mposhtur 200 e diçka ushtarët rusë që ishin stacionuar atje. Isha oficeri kryesor dhe kisha djema që më rrinin prapa. Ushtarët menjëherë pas meje ishin nga Regjimenti i Parashutistëve, që d.m.th. se ata ishin të gatshëm për luftë” ka thënë Blunt.

“Urdhri direkt që erdhi nga Gjenerali Wesley Clark ishte për t’i mposhtur ata. U përdorën fjalë e terme të ndryshme të cilat për ne dukeshin të pazakonshme. Fjala “shkatërro” na vinte përmes radiove”, shton ai.
Duke e kujtuar atë kohë, Blunt thotë gjithashtu se “200 ushtarakët rusë ishin radhitur dhe i kishin drejtuar armët në drejtim tonin. Neve na ishte thënë që të arrijmë në zonën ajrore dhe ta marrim atë nën kontroll. Për këtë arsye ata e kishin vënë në diskutim udhëzimin tonë”.

“Fatmirësisht, në radio filloi të fliste komandanti i forcave britanike, Gjenerali Mike Jackson, i cili tha saktësisht se “Nuk do të lejojë që ushtarët e mi të jenë përgjegjës për nisjen e Luftës së III-të Botërore”, kujton Blunt.

“Ai na tha, përse, në vend të kërkesës së Clarkut, nuk e rrethoni zonën ajrore? Dhe pas disa ditësh, rusët që po qëndronin atje, thanë: “Prisni, ne nuk kemi as ushqim e as ujë. A mund ta ndajmë zonën ushtarake me ju?”.
Blunt insiston se edhe nëse Jackson do t’i thoshte të intervenonte, ai nuk do të refuzonte ta zbatonte urdhrin e Gjeneralit Clark, i cili kishte komandën e përgjithshme