Adem Grbolar dhe Endrit Shala, doktorë në Klinikën e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës , janë përleshur mes njëri-tjetrin në sallën e operacionit. Nuk dihet pse ka ndodhur kjo përleshje. Ndërsa rasti është raportuar edhe në polici.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka konfirmuar rastin për Gazetën Insajderi. Ajo ka thënë se rasti është në fazën fillestare të hetimeve.
“Dje rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën për një mosmarrëveshje në QKUK mes dy personave. Rasti është në fazën fillestare të intervistimeve dhe me të po merren njësitet policore kompetente të stacionit jugu në Prishtinë”, ka thënë Ahmeti.
Adem Grbolar i cili është shef i repartit në Kardiokirurgji, është akuzuar më herët nga kardiologu Arbër Kutllovci për manipulim me lista të pacientëve.
Kutllovci para disa muajve kishte postuar në profilin e tij në Facebook, ku kishte bërë të ditur vendimin e tij për largim nga klinika. Ai kishte thënë se përçarjet dhe manipulimet e shefit Dr. Adem Grbolar, janë arsyeja kryesore e dorëheqjes.
“Ambienti përçares dhe morbid që është krijuar brenda Klinikes së Kardiokirurgjisë nga ana e shefit të saj (Adem Grbolar), ka qenë shqetesimi im kryesor. Mungesa e vendim-marrjes për rastet kardiokirurgjike dhe centralizimi i kësaj vendim-marrje vetëm tek shefi, -mungesa e listave operatore dhe manipulimi me to (superselektim i rasteve nga ana e shefit, njoftim për operacion disa orë para operimit,etj)”, kishte shkruar Kutllovci në reagimin e tij.