Lirim Zendeli nga Shkupi synon të bëhet shqiptari i parë që ngjitet në piedestalet e Formula 1. Këtë sezon ai garon në Formula 3, pasi në moshën 19-vjeçare, një vit më parë, fitoi kampionatin e Formula 4.
“E shoh veten si kampion në Formula 3, por edhe në Formula 1. Besoj se me përkrahjen e duhur kjo është e mundur të arrihet. Do ishte shumë mirë që të jem shqiptari i parë që do të arrij këtë”, thotë ai.
Zendeli tregon se këtë sport e nisi si hobi në Gjermani, në moshën 10-vjeçare, nërsa rastësisht ai është stërvitur në një klub privat të legjendës së Formula 1, Michael Schumacher dhe trajnerët dalluan shumë shpejt talentin e tij.
“Kam filluar në ekipin e Michael Schumacher, 4 vjet në karting. Kam fituar kampionate të Gjermanisë, gara në botë. Hap pas hapi arritëm në F4, ku fituam kampionatin, dhe tani në F3” – shprehet Zendeli.
Sponsori dhe menaxheri i tij Sali Ajdini, një tjetër shqiptar nga Maqedonia e Veriut që jeton në Gjermani, thotë se synimi kryesor i këtij sezoni është titulli kampion në Formula 3.
“Shkalla e dytë është Formula 1. Kemi për të hipur edhe një shkallë dhe të fillojmë kontratat me Formula 1. Lirimi është shumë i vendosur. Ai dëshiron që ta arrijë qëllimin. Ëndrrën që ka, me mbështetjen që ka, do ta ketë më të lehtë për ta arritur” thotë Ajdini.
Lirim Zendeli për momentin është në bisedime për të firmosur me skuadër të re në Formula 3. Por emrin e klubit e mban të fshehtë deri sa të formalizohen kontratat.