Hetimeve për dëmet që la pas tërmeti i 26 nëntorit në vend, do t’i shtohen edhe 7 ekspertë italianë. Gazetarja Klodiana Lala tha për “BalkanWeb” se ekipi i ekspertëve italianë ka mbërritur tashmë në Shqipëri dhe do të asistojë Prokurorinë e Durrësit në hetimet për tërmetin shkatërrimtar.

Mësohet se ekspertët italianë kanë zhvilluar sot një takim në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa nesër do të zbarkojnë në Durrës. Ata kanë qenë pjesë e hetimeve që nisën në Itali pas tërmetit në L’Aquila, ku gjithashtu pati viktima në njerëz e dëme të konsiderueshme materiale.

51 persona humbën jetën në vend nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa shkatërroi qindra banesa në Tiranë, Durrës e Thumanë. Në qytetet e prekura nga tërmeti prokuroria ka nisur hetimet për veprat penale “Shpërdorim Detyre” “Ndërtim pa leje” dhe “Dhënia e ndihmës për ndërtim pa leje”