Një grup prej 38 klandestinësh kurdë nga Irani e Iraku e kuptuan se ishin në Shqipëri, kur ranë në prangat e policisë.
Destinacion kishin Serbinë nga ky më pas synonin vendet e Bashkimit Europian.
“Kemi ardhur në këmbë nga Greqia. Kishim synim të shkonim në Serbi por këtu nuk është Serbi” tha nje kurd.
Sipas të dhënave kishin dy ditë që kishin hyrë në vendin tonë në kufirin e gjelbër pranë Qafë Botës.
Më pas kanë udhëtuar në rrugë jo shumë të rrahura nga policia por sërish janë zbuluar.
Emigrantët klandestinë kanë gjetur një rrugë të re në përpjekjen për të kaluar përmes Shqipërisë drejt vendeve të BE.
Që kur nisën flukset e klandestinëve, portë hyrsë e emigrantëve kanë qenë Korca e Devolli ku patrullojnë edhe forcat e FRONTEX.
Por duket se dimri i ashpër që bën në atë anë po i shtyn emigrantët të gjejnë rrugë të reja.
Klandestinët u dërguan në Policinë e Vlorës, ku pas marrjes së dëshmive do të dërgohen në qendrën e pritjes së azilantëve në Tiranë.
Ata që i shpëtojnë rrjetave të policisë vazhdojnë më tej drejt Malit të Zi ose Serbisë duke synuar me tej Kroacinë si vendi i parë i BE.