Policia ka kërkuar ndryshimin e masave ndaj drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë duke shkelur rregullat e qarkullimit në parakalime apo duke folur në telefon. Shkak për këtë është bërë numri i aksidenteve që janë regjistruar për këto raste.
Veliu / Duhet të synojmë te forcimi i masës për përdorimin e celularit.Ta trajtojmë njëlloj si rripi.
Drejtori i policisë së shtetit, Ardi Veliu, ka kërkuar ndërhyrje inxhinerike në të paktën dy zona, ku dhe numri i aksidenteve fatale ka qenë i lartë.
Veliu / Problem kryesor është projektimi inxhinierik i disa segmenteve rrugore, të cilat kanë sjellë pasoja fatale siç është rrethrrotullimi i TEG-ut ku në tre muaj kemi pasur 7 aksidente me pasoja fatale, apo rrethrrotullimi i Kolonjës ku në 2 muaj kemi pasur 5 aksidente me pasoja fatale.
Në prezantimin e raportit, Veliu ka bërë dhe krahasimin e situatës me vendet e rajonit.
Veliu / Kemi edhe disa vende të tjera të BE që kanë një vdekshmëri më të ulët se vendi jonë si Gjermania me 38, Çekia me 54, Italia me 56, Greqia me 69 dhe Letonia me 70.
Ndërsa Ministri i Brendshëm ka tërhequr vëmendjen për shifrat e larta të personave që humbën jetën në rrugë.
Lleshaj / Vetëm në 2019 kemi humbur jetën e 227 qytetarëve shqiptarë në rrugët e vendit, shifër pothuajse 5 herë më e lartë se shifra e të vrarëve që shkakton krimi në Shqipëri. Gjithë kriminaliteti në vend prodhon rreth 50 të vrarë në vit, edhe kjo me rënie drastike krahasuar me të kaluarën.
Pas konsultimeve pritet që gjobat të jenë edhe më të larta, duke përfshirë dhe kërkesën që një drejtues të ketë mundësinë e vetëm një këshillimi.