Paskal Milo ka deklaruar në studion e emisionit Opinion se opozita ka bërë kthim mbrapa me marrëveshjen e bërë me mazhorancën sa i takon Reformës Zgjedhore. Sipas tij kjo e kthen PD në pozitat e kohës para djegies së mandateve parlamentare dhe nuk do të ndryshojë asgjë.

“Fitoren as mos e çojë në mëndje që e ka marrë. Të kthehesh në pozitat e nisjes së kohë para djegies së mandateve në parlament nuk është fitore po është kthim mbrapa. Kjo është lëvizje taktike e përkohshme pasi nuk do të ndryshojë asgjë pasi do ti bëhen vetëm retushe kodit zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE” deklaroi Milo.

Ai vlerësoi se sistemi më i mirë zgjedhor është ai mazhoritar i korrektuar dhe i konsideroi ndryshimet e kodit zgjedhor në vitin 2008 si deformime të sistemit.

“Për mua sistemi më i mirë ishte mazhoritar i korrektuar. Bashkohem me idenë se asnjë sistem nuk është i keq por zbatohet keq. Çdo vend zbaton një sistem që i përshtatet. Në 2008 ne bëmë një sistem të deformuar dhe këto janë pasojat që ka sjellë ai sistem. Në rast se nuk ç’bëhet 2008 nuk ka stabilitet politik në Shqipëri sepse nuk ke zhdukur vatrën e krizës”

Milo shkoi edhe më tej kur tha se sistemi aktual zgjedhor ka prodhuar “idiotë” duke iu referuar deputetëve në parlament.

Paskal Milo: Mazhoritari është më burrëror më i ndershëm, del para popullit të peshon populli. Si mund të dalin deputetë që janë idiotë, e di çdo me thënë idiotë? Që s’dinë të lidhin dy fjalë në parlament dy vjet.

Blendi Fevziu: Të lutem mos fyej idiotët.

Paskal Milo: Ai idioti mua më mund me dollarë. /Opinion.al