Arti dhe kinematografia ka humbur një nga aktorët e tij më të mirë. Xhevdet Ferri është ndarë nga jeta para kohe në moshën 59 vjeçare.

Aktori i njohur i filmave mësohet se prej kohësh vuante nga një sëmundje tumorale dhe ditët e fundit ka qenë i shtruar në reanimacion, por pa mundur t’ja dalë.

Xhevdet Ferri lindi në Durrës, më 26 nëntor 1960. Ai ka qenë protagonist në disa filma tejet të njohur për publikun shqiptar dhe jo vetëm. Ai njihet si Trimi në “Përrallë nga e kaluara”, apo si Sako në “Dasma e Sakos”, Pali te “Besa e Kuqe”, por edhe me shumë emra personazhesh të cilat i ka luajtur me origjinalitet.

Filmi i tij i parë ka qenë kur ai ishte akoma një student. Në 1982 diplomohet në Akademinë e Arteve dega e dramës dhe më pas mbetet pedagog i mjeshtërisë së aktorit në këtë Akademi. Vazhdon karrierën akademike deri në detyrën si Dekan i Fakultetit të Artit Dramatik pranë kësaj Akademive.

Më pas ai zhvilloi një karrierë të gjatë artistike. Në teatër ka interpretuar pak role, por suksesin me te madh si aktor ai e ka arritur ne filmin artistik (rreth 13 role). Nga vitet 1995-1999 ishte drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, duke e marrë sërish këtë post në vitin 2006. Ndërsa në vitet 1999-2001 ishte drejtor i Teatrit Kombëtar.

Është specializuar në fushën e “Menaxhimit të Institucioneve Artistike” në Amsterdam e Oxford. Në periudhën kohore 1996 – 1998 ishte deputet i PD-se në Kuvendin popullor. Ndërsa në vitin 2004 është bashkëthemelues i Shoqatës së Kineastëve Shqiptarë duke qenë edhe Kryetari i pare i kësaj Shoqate.

Presidenti Meta kryeministri Edi Rama shprehën ngushëllime për humbjen e aktorit, duke theksuar se Xhevdet Ferri do të kujtohet për rolet e luajtura me mjeshtëri të rrallë, për të cilat meriton vlerësimet ndër breza.