Sinjalin e parë të kryengritjes shqiptare do ta jepte Shkodra me mëtimin legjendar të disa qytetarëve të saj për të rrëzuar më 14 janar 1990 një bust të Stalinit në lulishten kryesore të qytetit. Rindërtimi më vonë i ngjarjes nëpërmjet dëshmive të protagonistëve dhe procesve gjyqësore kundër tyre do ta vendoste dhe mbante përgjithmonë 14 janarin në kufijtë e të pabesueshmes. Duket si përrallë, sot e sot e kësaj dite, një përrallë e çuditshme me njerëz realë, me data reale, me ndeshje dhe plagë reale. Dedë Kasneci dhe Rin Monajka ishin dy punëtorë mes të tridhjetave e dyzetave që kishin menduar të rrëzonin bustin e diktatorit mustaqelli nga Gjorgjia e largët në qytetin e tyre. E kishin menduar shumë të tjerë para tyre. E veçanta e Dedës dhe Rinit ishte se ata e kishin biseduar me njëri tjetrin si një përbetim këtë gjë dhe kishin konceptuar një rrëzim spektakolar të bustit me pjesmarrjen e një numri të madh njerëzish. Pra kishin konceptuar një demostratë, një shenjë të zgjimit të Shqipërisë dhe bashkimit të saj me vendet që kishin flakur robërinë komuniste. Ideja e demostratës kishte pushtuar mendjet dhe zemrat e tyre, kishte vrarë gjumin e tyre. E dinin çfarë lëvizte dhe ziente prapa qetësisë së jashtme të qytetit. Shumica e shkodranëve nuk e donin rregjimin, të cilin e kishin gërryer dhe vazhdonin ta gërryenin nga brënda me barcaleta. E gjithë kjo kishte shërbyer për t’i dhënë hapësirë përqeshjes si mjet lufte kundër se keqes. Por kur mbetet në vend e nuk gërshetohet me forma të tjera të shprehjes së kundërshtimit, përqeshja merr format e një konformizmi të ri. Kishte ardhur koha që Shkodra të jepte një goditje force. Deda ishte një burrë trim dhe i vendosur, Rini kishte trup atleti dhe mendje intelektuali. Nga babai i tij, Zef Dukagjini-Monajka, bir i një oficeri austriak me një vajzë shqiptare, kishte trashëguar pasionin për gjuhët e huaja dhe leximin. Besohet se ideja e rrëzimit të bustit të Stalinit i feksi në kokë pikërisht këtij djali të dyfishtë të Shqipërisë dhe Austrisë, që lufta e egër e klasave ua kishte privuar si talent të lindur shkencave dhe sportit. Kasneci, Monajka dhe miqtë e tyre të ngushtë, që ishin përfshirë ndërkohë në përbetimin e famshëm, caktuan fillimisht 11 janarin si ditën e rrëzimit të bustit. Në kalendarin e rregjimit 11 janari ishte festa zyrtare republikës, ditë pushimi. Njerëzit e kishin zakon të dilnin në qendër të qytetit për të shtyrë kohën. Ideja ishte që me serhirxhintë e shumtë të bashkoheshin të thirrurit kasten për të bërë sëbashku një mur njerëzor rreth bustit që do të rrëzohej. Por në ditën e Republikës u mblodhën pak njerëz në qendër të qytetit.
Pikërisht atë ditë bëri një vizitë private në Shkodër ambasadori i Gjermanisë Perëndimore, Verner Daun. Zërat midis legjendës dhe së vërtetës përhapen lajmin se Rin Monajka foli me ambasadorin, ndërsa makina me xhama të ulura e këtij të fundit po rrëshqiste ngadalë në qendër të qytetit. Me gjasë, ambasadori gjerman u tha shkodranëve që po ecnin ngjitur me makinën e tij “ hë, çfarë prisni”. Dukej pak e çuditshme kjo për statusin e një diplomati të huaj në Shqipërinë e bunkerëve, por këto ishin fjalët që u përcolli Rin Monajka shokëve të tij të përbetimit. Ndoshta i kishte përkthyer me korrektësi fjalët e ambasadorit, ndoshta i kishte menduar vetë, por e kishte parë të udhës t’ja atribuonte gjermanit për t’u dhënë zemër bashqytetarëve të tij. Sakaq, qoftë duke i përkthyer, qoftë duke ia atribuar ambasadorit gjerman ato fjalë, Monajka u vesh para të tjerëve me petkun dhe hirin e kasnecit të demostratës.
Ambasadori i Gjermanisë nuk reklamoi në vitet në vijim ndonjë rol në nxitjen e demostratës së 14 janarit në Shkodër, ndërkohë që do të pohonte publikisht inkurajimin e eksodit të 2 korrikut të po atij viti nga ambasada gjermane në Tiranë. Nuk u vërtetua pra versioni i një kushtrimi gjerman në Shkodër, por fakti ishte se fjalët e ambasadorit, të vërteta apo të rreme, u përhapën me shpejtësi në gjithë qytetin dhe ngritën peshë qindra-mijëra zemra. Bota nuk e kishte harruar Shqipërinë dhe Shkodrën.
“ Ambasadori e plasi thirrjen e tij. Ej, është Gjermani ajo, të shkul! Po e ka ndarë mendjen Gjermania, ka mbaruar kjo punë. Të ngrihemi! S’kemi ç’të presim më”!
Të përbetuarit, numri i të cilëve ishte rritur ndërkohë, vendosën datën e re të demostratës për rrëzimin e bustit të Stalinit: 14 janarin. Dedë Kasneci, Rin Monajka, Flamur Elbasani, Gjergj Livadhi, vellëzërit Haxhi, Ndoc Liqejza, Viktor Martini, Nikolin Thana, Gjovalin Pala, Tonin Dema, Nikolin Margjini, Bac Bilali, Ylli Gërshana, Klaudio Daka, Aldo Perizi, vëllezërit Alibali- për të permendur me të njohurit e përbetimit- u shpëndanë lagje me lagje për të takuar, njoftuar, nxitur e ftuar njerëz. Morën kudo përgjigje pozitive, por dështuan të gjenin një intelektual që pranonte të mbante një fjalim para turmës. Një prift trim, dom Simon Jubani, që s’kishte shumë që ishte liruar nga burgimi i gjatë politik, u tha se ishte gati të thoshte një meshë për ta, pa marrë parasysh pasojat por statusi i njeriut të fesë ia ndalonte të merrte pjesë në veprimtari të karakterit politik. Atëherë, ndërsa asnjë prej intelektualëve të njohur nuk po i dilte zot, leximin e fjalimit e mori përsipër një djalë i ri, Kolec Ublina.
Të përbetuarit s’po ruheshin më si në fillim. Kishin dalë pothuajse hapur. Ndërkohë trupa policie shtesë dhe vetë krerët e Sigurimit të shtetit kishin zbarkuar në Shkodër. Të dyja palët po përgatiteshin për përballjen e paralajmëruar. Të parët duke u bërë thirrje njerëzve të dilnin në demostratë. Të dytët duke vëzhguar lëvizjet e të parëve. Nganjëherë subjekt i thirrjeve për të dalë në demostratë ishin vetë oficerët e panjohur të Sigurimit të ardhur nga Tirana. Në datën 13 janar Gjergj Livadhi me shokun e tij Nikolin Thana u futen në një kafene. Në banak panë një burrë me kasketë që po pinte kafe dhe po dëgjonte i qetë ç’po thuhej. Gjergji iu drejtua edhe atij si gjithë të tjerëve të mos mungonte në demostratë. I panjohuri me kasketë doli pa thënë asnjë fjalë. Disa orë më vonë, kur kishte kaluar mesnata dhe kishte hyrë data 14 janar, forca të shumta policie zbarkuan në shtëpinë e Gjergj Livadhit dhe e arrestuan. Në Degën e Punëve të Brënshme, ku e dërguan me duart në pranga, u përball me burrin me kasketë, të cilit i kishte kërkuar të mos mungonte në demostratë. Aty e mori vesh se ishte vetë zevendëministri i Punëve të Brëndshme, Zylyftar Ramizi.
“Jemi takuar bashkë sot paradite”? i tha Ramizi me një ton mes pyetjes dhe ironisë. “Diku jemi parë ”, ia ktheu Livadhi. Fati i tij ishte shkruar. Në pranga dhe tortura do të përfundonin të gjithë krerët e përbetimit, që do të arrestoheshin gjatë natës së trëmbëdhjetë janarit, duke u gdhirë katërmbëdhjeta. Të gjithëve do t’u kërkohej të tregonin shërbimin e huaj që qëndronte pas tyre. Partia e Punës dhe Sigurimi shqiptar nuk mund të besonin se një përbetim si ai 14 janarit mund të ishte vepër e një bërthame qytetarësh, malësorësh e punëtorësh të thjeshtë. Të nesermen zbardhi në Shkodër një nga ato ditët më vranësira të pjesshme që duket sikur nuk do të lindin kurrë tamam, ndërsa qielli as mbyllet, as hapet. Rreth tre mijë njerëz dolën nga shtëpitë me njetin për të marrë pjesë në demostratën e parë të jetës së tyre. Ishin marrë vesh pa fjalë se kishte ardhur ora, se duhej të dilnin, se duhej të mblidheshin rrathë-rrathë në heshtje rreth bustit të Stalinit në lulishten kryesore te qytetit, jo për t’i hedhur lule, por për t’ju bërë mburojë disa trimave që ishin përgatitur t’i hidhnin litarin. Ata të pararojës u afruan dhe qëndruan përballë bustit të dikatorit gjeorgjian, të cilin Enver Hoxha, përveçse si ikonë të pushtetit të tij, e kishte përjetësuar në Shkodër edhe si një fyerje për qytetin e vjetër të lulevileve, kopshtijeve, arieve, kambanave dhe çdo gjëjë tjetër që ishte zhdukur apo tjetërsuar në këtë qytet të vjetër me ardhjen në pushtet të komunistëve. Qëndrimi në heshtje i shkodranëve përkarshi bustit të Stalinit ishte pamja më absurde, por edhe kryengritja më origjinale që ajo ditë e 14 janarit shqiptar të vitit 1990 i ofronte botës mbarë.
Bota nuk ka fat me ngjarjet e papërsëritshme dhe ngjarjet e papërsëritshme nuk kanë fat me botën. Vetmia është zakonisht tagri i tyre. Demostruesit qëndruan gjatë në pritje, në kufi të demostrimit dhe rutinës së zakonshme sikur kishin dalë për të vrarë kohën në qendër të qytetit. Asnjë lëvizje, asgjë. Demostrata merte frymë e shkrehur. Oficerët e sigurimit, të hallakatur nëpër turmë, rrinin në përgjim gjithashtu për të parë nëse do të lëshohej njeri në drejtim të bustit. Ata e dinin se njerëzit kishin dalë për demostratë, pavarësisht se hiqeshin si serhirxhinj. Potencialisht ishin të tërë për t’u arrestuar. Busti i Stalinit në qytetin verior të Shqipërisë së vitit 1990 dukej akoma më absurd dhe jashtë kohës në ethen e policëve dhe oficerëve për ta mbrojtur. Dikur u hap fjala se krerët e demostratës ishin arrestuar në fshehtësi gjatë natës. Atëherë u kuptua pse demostrata nuk ishte ngritur dot në këmbë. Njerëzve nuk kishte patur kush t’u printe, kush t’u fliste. Ata filluan të shpërndaheshin, duke e paditur vetem e tyre si demostrues të hidhëruar, që i kishin dhënë ashtu betejën e parë Stalinit, domethënë rregjimit.
Atë ditë, të nesermen, të pasnesermen dhe në ditët në vazhdim censura e heshtjes mëtoi të shtypte si një rul i rëndë gjithçka kishte lidhje me 14 janarin e Shkodrës. Por lajmet, edhe pse të ndrojtura e amorfe, e çanë perden e territ.
“Në Shkodër? Disa njerëz kishin dashur të rrëzonin bustin e Stalinit, por i kishin plasur brenda dhe po u merrnin shpirtin”.
Netët e Tiranës i veshi papritur një heshtje fajtore. Si në një replikë me bubullimat, presidenti i Republikës dhe Sekretari i Parë I Komitetit Qëndror të Partisë, Ramiz Alia, thirri ato ditë me një zë luftarak: “Taraboshin nuk e tund era”. Një erë ishte ngritur pra në Shkodër. Rregjimi e kishte ngrenë karremin e demostratës, duke treguar natyrën e vet të pandryshuar. Por kishte dhënë edhe një mesazh: ndryshimet në Shqipëri, aq sa do bëheshin, do të bëheshin nga Partia e Punës, me Partinë e Punës. Jo pa të, jo kundër saj!
Kush ishin ata njerëz në një qytet me emër të madh në histori, por periferik në sistemin e centralizuar komunist të Hoxhës, që planifikuan, organizuan dhe çuan në prag të finalizmit rrëzimin e bustit të Stalinit? Për shumë jave dhe muaj emrat e tyre mbeten të panjohur për publikun e gjerë në vend. Thuhej se ishin njerëz të thjeshtë, por trima, që nuk ishin kujdesur dhe aq për të ruajtur konspiracionin e planit të tyre, se ishin torturuar pa mëshirë, se ishin mbajtur të izoluar si alienë, pa asnjë kontakt me botën dhe as më njerëzit e tyre të afërt. Regjimi kishte bërë çomos t’i bëntë të paqenë si rracë kryengritëse. Kur do të pyetej nga Sali Berisha në takimin me intelektualët në gusht të atij viti, Ramiz Alia do të mohonte se kishte ndodhur ndonjë gjë në Shkodër me 14 janar. Në fakt, ditën kur do të mbahej ai takim organizatorët e demostratës së 14 janarit, Dede Kasneci, Gjergj Livadhi, Rin Monajka, Kolec Ublina, Kolec Daka, Aldo Ferrizi, Flamur Elbasani dhe Nikolin Maligjini kishin hyrë në muajin e tetë të izolimit dhe vuajtjeve. Dënimet e tyre të rënda me burg ishin një njollë turpi për Tiranën që po bënte makiazhin e demokratizimit. Por ishin një brerje ndërgjegjeje me vete për inteligjencën shqiptare që nuk arriti të depërtonte për asnjë çast në dramën e madhe të kryengritësve shkodrane. Me keq nga të gjithë e pati Rin Monajka. Dyshimet se ishte ai koka e grupit u mblodhën e ranë rrufeshëm mbi të me shterrimin e shpresave të Sigurimit për të zbuluar lidhje mes të përbetuarve dhe shërbimeve të huaja. Rini ishte më i lexuari i shokëve, ishte edhe i pashëm, çfarë e shtonte me sa është thënë më vonë urrejtjen e ndaj tij. Xhelatët e tij nuk mund të duronin që një peng në duart e tyre të mbante një dinjitet shpirtëror dhe fizik që vetë ata nuk e kishin. A nuk ishte kjo urrejtja që kishte gjymtuar e trasformuar në një copë mishi pa këmbë e pa duar katër dekada më parë Lazër Shantojën, priftin-poet, një nga burrat me elegantë e të hijshëm të Shqipërisë së kohës, aq sa kur e ëma shkoi për ta vizituar në burg dhe e pa ashtu si një trung të flakur përdhe u llahtaris nga tmerri dhe u kërkoi policëve t’i jepnin pushimin e pasosur djalit të saj me një plumb në ballë.
Xhelatët e rinj të vitit 1990 i kërkuan shumë gjera Rin Monajkës. Për çdo kërkesë të paplotësuar, më saktë të paplotësueshme, i hapen plagë të ndryshme në trup. Kërkesa e fundit që i bënë ishte të pranonte se 14 janari ishte një organizim vagabondësh dhe pijanecësh të paditur e naivë. Dhe të shtonte se ndihej i penduar.
-Thuaj “po”! Thuaj “po” të shpëtosh!
Rini nuk e hapi gojën, nuk e tundi asnjëherë kokën për të formuar shenjën e vogël të pohimit të asaj që oficerët e sigurimit ia kishin servirur si formulë shpëtimi. Atëherë e goditen me mjete të forta, i hapen një frakturë shtatë centimetra në kokë. Në seancat gjyqësore ishte i vetmi prej të akuzuarve që nuk qe në gjendje të fliste. Por folën të tjerët edhe në emër të tij. Foli Dedë Kasneci, Flamur Elbasani, Gjergj Livadhi…Me krenari heronjsh pohuan vendosmërinë e tyre për ta filluar nga e para, po të mundnin, atë që nuk kishin arritur të bënin. U dënuan nga tre në dhjetë vjet heqje lirie me akuzën e krijimit të organizatës kundërrevolucionare me karakter antisocialist për përmbysjen e pushtetit popullor me dhunë.
Fati kishte rezervuar një ironi të fundit me këta shkodranë, para se të shihnin dritën e lirisë pas përmbysjes së diktaturës. Natën e njëzet dhjetorit, duke u gdhirë njëzet e njëshi, me urdhër të Ramiz Alisë statuja hijerëndë e Stalinit u hoq nga pidestali ndanë bulevardit “Dëshmorët e kombit” dhe u trasportua në magazinat e fonderisë së veprave të artit në perëndim të qytetit. Njeherësh, bustet e tij u hoqën në gjithë vendin. Tirana, Shkodra dhe Shqipëria, pas disa dekadash, u zgjuan pa Stalinin. Krerët e rregjimit nuk u kujtuan ose nuk deshën të kujtoheshin se antistalinistët e Shkodrës ishin në burg ndërkohë. Finsikëria minimale e donte që këta të liroheshin para se të hiqej përmendorja e Stalinit, madje të thirreshin për të asistuar në përmbushjen e këtij akti nga ndërmarrja komunale e Tiranës. Vetëm pasi unë do të botoja në numrat e parë të gazetës së parë opozitare “Rilindja demokratike” dy-tre javë më vonë një shkrim-fejton për këtë paradoks të madh, duke i përmendur me emër dhe mbiemër të dënuarit e e 14 janarit të Shkodrës, këta do të liroheshin nga burgu dhe do të ktheheshin në qytetin e tyre të çliruar ndërkohë nga tirania.
Ushtarë të gjallë të lirisë, me plagë në trup, ata u shkrinë më lëvizjen mbarëpopullore për demokraci. Por mjaft prej tyre nuk e morën dot mbrapsht shpërblimin për atë që kishin dhënë dhe nuk e gjetën dot paqen e merituar. Rin Monajka i vuajti më rëndë se të tjerët pasojat e gjymtimit nga torturat. Një ditë prej ditësh mori rrugën e Austrisë, si në ndjekje të një vegimi që kishte përndritur dhe shkatërruar njëkohësisht rininë e tij. Ishte padyshim vegimi i origjinës, por Austria nuk kishte mbajtur shënime për ketë djalë të humbur dhe historia e re e Shqipërisë nuk ia kishte kaluar kërkujt akoma shënimet e veta për Rin Monajkën. Ndërroi jetë në Austri në 1 maj të vitit 1997, “pa pas afër askënd dhe tuj qenë i harruem prej gjithë atyne që sakrifica e tij ndihmoi pa dyshim me fitue demokracinë”, shënoi studiusi Adrian Ndreca në një artikull nekrologjik për të ndjerin.
Në fakt, viti i stuhishëm 1990 kishte filluar me Rinin dhe me gjithë atë elektrizim spontan që krijoi 14 janarin e Shkodrës. Duke shpresuar në zgjimin e ri të shkrimtarëve, publicistëve dhe intelektualëve të njohur, kritikë të autorizuar apo kontestatorë të paautorizuar të regjimit, historia ishte vënë ndërkaq në kërkim të fytyrave të reja dhe emrave të rinj, shpërthyes prej anonimatit.