Gjykata e Tiranës në gjyqin paraprak që u zhvillua ditën e sotme ka vendosur pushimin e çështjes së lobimit për kryetarin e PD-së Lulzim Basha dhe dy zyrtarët e tjerë të PD-së, ish-sekretarin e përgjithshëm Arben Ristani dhe financierin e partisë Ilir Dervishi.
Kështu dy vite hetime nga prokuroria e Tiranës, gjyqtari Lazer Sallaku i ka cilësuar të pavlefshme duke rrëzuar akuzën e ngritur nga organi i akuzës për falsifikim kundër Lulzim Bashës dhe dy zyrtarëve të tjerë të PD-së, pasi sipas tij nuk faktohet një gjë e tillë. Sipas gjyqtarit, thotë gazetari i Report Tv Arsen Rusta, Basha dhe dy zyrtarët e PD-së nuk janë përgjegjës për akuzën e falsifikimit që u ngrit nga prokuroria duke pushuar hetimet e prokurorisë për ti marrë të pandehur.
Tashmë pritet vendimi i prokurorisë nëse do ta ankimojë. Por përplasja mes prokurorëve vijoi edhe seancën e sotme. Me kërkesë të drejtueses së prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj u kërkua përjashtimi i prokurorit Ervin Karanxha, që gjyqtari e miratoi duke e larguar nga seanca e gjyqit paraprak, ndërsa dy prokurorët e tjerë Gjergji Tako dhe Kolë Hysenaj ishin të ndarë. Hysenaj kërkoi shtyrjen e afateve me qëllim pyetjen e lobistit Nick Muzin, ndërsa Tako dërgimin e cështjes në gjyq, por gjykata e pushoi.
Tre personat, dy nga të cilët sot nuk ishin në gjyq me përjashtim të Arben Ristanit, pasi Basha dhe Dervishi përfaqësoheshin nga avokatët, akuzoheshin për “Falsifikim të dokumenteve dhe formularëve” pasi sipas prokurorisë nuk kishin bërë deklarimin e shumës në pasqyrat financiare të Partisë Demokratike pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Por ashtu sikur u pushuan hetimet pak kohë më parë për pastrim parash, sot u pushuan edhe për falsifikim.