Çfarë ndodhi në natën e 3 majit 1992 te Varrezat e Dëshmorëve dhe si e ka përjetuar në qeli Nexhmije Hoxha zhvarrimin e eshtrave të Enverit dhe 13 ish-udhëheqësve komunistë. Cilët ishin intelektualët që ia sugjeruan këtë ide në prag të 5 majit Berishës, vetëm një muaj pasi ishte zgjedhur president i vendit. Biseda e Nexhmijes me djemtë dhe pse u përjashtuan Gjirokastra, Peza dhe Labinoti si vendvarrimi i ri i Enverit

Me marrjen e pushtetit nga demokratët, filloi sërish një fushatë e re kundër Enver Hoxhës, ku etiketimet më të pëlqyeshme ishin kriminel dhe antikombëtar. Dukej qartë se do të shkallëzoheshin më tej masat kundër tij me qëllim për ta fundosur sa më shumë në thellomat e historisë, mundësisht edhe për ta fshirë fare nga kujtesa. Ish të përndjekurit politikë të regjimit komunist filluan të kërkonin me këmbëngulje dënimin e Enver Hoxhës për gjenocid dhe tradhti të lartë kombëtare. Për këtë shkruanin gazetat, bëheshin mbledhje, hartoheshin peticione

Dhe ja, papritmas, natën e 3 majit 1992 ia behën varrmihësit.

Me anë të një vendimi të posaçëm të pushtetarëve të rinj, varrmihësit autorizoheshin për të hequr nga Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë eshtrat e Enver Hoxhës, Hysni Kapos, Nako Spirut, Myslim Pezës, Gogo Nushit, Josif Pashkos e të disa ish-udhëheqësve të lartë komunistë, gjithsej 13. Zhvarrimi u bë vetëm dy ditë para 5 Majit, ditës së Dëshmorëve.

Sali Berisha kishte vetëm një muaj që ishte zgjedhur në krye të shtetitdhe do të bënte ritualin e vendosjes së një kurore me lule te Varrezat e Dëshmorëve. Po si mund të pranonte ai të përkulej para monumentit Nënë Shqipëri, kur shumë pranë monumentit ndodhej varri i Enver Hoxhës dhe ish-udhëheqësve komunistë?

Pra akti nuk ishte aspak i rastësishëm. Ajo që ndodhi më 3 maj, ishte vetëm parathënia. Ishte më shumë se një akt i thjeshtë zhvarrimi. Ishte një lloj ndërgjegjeje e shfaqur pa maskë. Zhvarrim varrimet e mëpastajme treguan se ky ishte një veprim i menduar mirë.

Ishte zgjuar instinkti i shëmtuar dhe primitiv i dhunimit të varreve

Ja si e përshkruan Nexhmije Hoxha këtë ngjarje në librin e saj me kujtime të sapobotuuar.

Përgatiti botimin Xh. Shehu

U hap dera e qelisë. Për çudi, u duk avokati im, Dhimitër Beshiri. Them për çudi, se takimet me të, në asnjë rast, nuk bëheshin në qeli, por te dhoma a nё zyrat e hetuesisë. Nga thyerja e këtij rregulli, si dhe nga fytyra e zymtë e avokatit, mendova se po më sillte një lajm jo të mirë, lidhur me procesin tim gjyqësor, që e shtynin dhe e shtynin vazhdimisht.

U ngrita nga dysheku përdhes, ku isha ulur, dhe iu afrova. Polici shoqërues më tha: “Mund të dilni në korridor” Duke ecur përkrah avokatit, e pyeta: “Çkemi?”

Dhimitri për një çast mbeti i heshtur, sikur të mos dinte nga t’ia fillonte, pastaj më tha: “Iliri më ka ngarkuar me një detyrë shumë të hidhur, tju them se sonte natën, Sali Berisha urdhëroi zhvarrosjen e eshtrave të Enverit nga Varrezat e Dëshmorëve, për ti çuar ato në varrezat publike të Sharrës. Pas pak do tju vijnë vetë djemtë dhe njerëzit e familjes”

Ky lajm më tronditi pa masё dhe më trullosi. Për një çast, nuk po realizoja sesi mund të ndodhë një akt kaq barbar, që është dënuar në shekuj nga etika tradicionale e popullit tonë e më gjerë. Hakmarrja me burgimin tim nuk ishte gjë para kësaj HAKMARRJEJE barbare të këtyre njerëzve primitivë të përtej antikitetit.