Historia e shkurtër që do t’ju tregojmë ditën e sotme, na detyron të shkojmë përtej detyrës tonë për të raportuar, por provon më së miri edhe ato që njihen ndryshe si “barcaleta me policë”. Fabula është e thjeshtë. Policia e Shtetit, njoftoi mbrëmë shpëtimin e 4 alpinistëve të bllokuar në Malin e Gramozit, për shkak të motit të keq. Njoftimi zyrtar specifikonte se policët kishin kërkuar për orë të tëra, dhe në merak e sipër, në lartësinë prej 2523 metrash, kishin mundur të gjenin 4 alpinistët. Siç e do edhe adeti në kësi rastesh, policët bënë një foto me të shpëtuarit, njësoj si “Darka e Fundit”.

Dosja.al është gjithnjë në mbështetje të historive njerëzore dhe humanitetit që uniformat blu ndajnë me komunitetin, e në këtë rast u përballëm me një suprizë. Teksa ndiqnim reagimet e qytetarëve për rastin e alpinistëve, u shtangëm nga zbulimi! Vetë njëri nga alpinistët e “bllokuar” ka çmontuar versionin e Policisë së Shtetit, duke na lënë edhe më të paqartë…

Ervin Xhakolli shkruan se fotoja është shkrepur në mënyrë shoqërore, pasi policët donin të kishin një kujtim me ta, meqënëse kishin bërë një ekspeditë në kushte ekstreme atmosferike. Por po ju lemë me dy versionet që të mund t’i bluani vetë.

Versioni i policisë së Shtetit:

Kolonjë Policia në bashkëpunim me banorët e zonës, u vjen në ndihmë 4 alpinistëve. Në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Kolonjë, është marrë një telefonatë sipas të cilës 4 alpinistë që kishin lënë mjetin e tyre tip “Ford”, në fshatin Starje dhe ishin nisur për të ngjitur malin e Gramozit, mund të kishin mbetur të bllokuar në rrugë për shkak të kushteve të vështira atmosferike. Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, në drejtim të zonës, u nisën shërbime të Komisariatit të Policisë Kolonjë dhe Stacionit të Policisë Kufitare Shtikë, të Emergjencave Civile, të ndihmuar edhe nga banorë të zonës. Pas disa orë kërkimesh, u bë i mundur lokalizimi dhe gjetja në gjendje të mirë shëndetësore e 4 alpinistëve, të cilët ishin ngjitur në majën e quajtur “Çuka e Peçit” në lartësinë 2523 m, të malit të Gramozit dhe më pas për shkak të kushteve të vështira atmosferike, kishin hasur vështirësi gjatë kthimit. Alpinistët (njëra prej tyre vajzë) kanë falenderuar shërbimet e Policisë dhe banorët, që iu erdhën në ndihmë dhe iu shpëtuan jetën. Policia më pas ka bërë shoqërimin e tyre, deri në vendin ku u akomoduan në qytetin e Ersekës.

E vërteta e Ervin Xhakollit, alpinist:

Me vjen keq qe keni publikur kete lajm te rrem pasi ne nuk kemi humber dhe nuk na keni shpetuar nga asgje.policet na kerkuan te benim nje foto ne menyr shoqerore pasi ne berem ekspedit dimeror ne malin e Gramozit ne kushte exstreme. Dhe ju siguroj policet tuaj nuk e kan ate nivel sa te arrin dhe te shpetojn njerez ne ato kushte si le barku dhe rakia qe pin lokaleve me vjen keq qe flas keshtu por keni genjyr ne menyr te turpeshme. Ju lutem pergenjeshtroheni kete lajme pasi keni perdorur imazhet tona dhe keni shqetesur gjith familjaret tone.