Shoqata 2 Prilli në Shkodër ka zgjedhur për kryetar luftëtarin e pakompromis kundër diktaturës dhe neodiktaturës shqiptare, Harris Murana.
Me zgjedhjen e Harris Muranës sot për Kryetar, Shoqata 2 Prilli Shkodër është e bindur se nën drejtimin e këtijë veprimtari të orëve të para të demokracisë, dhe luftëtarit të papërkulur në mbrojtje të demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut, anëtarët e kësaj shoqate dhe simpatizantët e saj të shumtë, do t’a kthejnë 2 Prillin në një pishtarë të pashuar për liri e demokraci, për një shtet të së drejtës dhe shanseve të barabarta për të gjithë.
Kjo na detyron, zotohet Shoqata 2 Prilli Shkodër pas zgjedhjes së kryetarit të ri, që ne si brez i idealeve të Dhjetorit, t’i japim kësaj shoqate ndihmën tonë të pakursyer e të pakushte, duke përfunduar:
2 Prilli ndanë epokat!
Lavdi heronjëve që dhanë jetën në këtë ditë për idealet e larta të lirisë dhe demokracisë!
Me 2 Prill ’91, bulevardet e Kryeqytetit shpirtëror shqiptar Shkodrës, bastionit të kulturës, qytetërimit e patriotizmit shqiptar, u lanë me gjakun e djemëve të saj trima: Arben Broci, Bujar Bishanaku, Naim Kryeziu, Besnik Ceka e të qindra demostruesve të tjerë, të cilët i thanë jo manipulimit të zgjedhjeve të neodiktaturës Ramiziste. Ata ishin personalitete të opozitës shqiptare, të cilët dëshironin që qyteti i tyre dhe e gjithë Shqipëria, përmes zgjedhjeve të lira, të hynin në rrugën e demokracisë dhe të progresit ashtu si gjithë Europa.
Kjo ngjarje tragjike është nyja Gordiane e politikës dhe demokracisë, sepse dirigjentët e kësaj ngjarjeje ogurzezë,duhet të përballeshin me një Nurenberg shqiptar, dhe politika duhej të spastrohej njëherë e mirë nga neokomunistët e rinj, të cilët edhe sot pas 30 vitesh mbajnë peng demokracinë dhe të ardhmen e popullit shqiptar.
Është meritë e djemve heroik të Shkodrës, të cilët i dhanë jetë Shoqatës së 2 Prillit jo vetëm në shenjë nderimi për herojntë e parë të demokracisë, por edhe për të qenë zëri më i fuqishëm antikomunist në mbarë trojet shqiptare.