Kryeministri Edi Rama dhe ministri turk, Murat Kurum firmosën pak minuta më parë marrëveshjen për ndërtimin e 500 banesave në Laç për të prekurit nga tërmeti.
Në fjalën e tij, Rama deklaroi se përmes këtij projekti do të arrihet një transformim rrënjësor që do të mundësojë kalimin e banorëve në shtëpi më të mira.
“Dje pati një konferencë për shtyp mes ministrave dhe tani jemi në fazën e dytë të këtij projekti dhe kemi ardhur në fazën e nënshkrimit të marrëveshjes. Do të ndërtohen 500 shtëpi nga miqtë e ardhur nga Turqia me porosi nga Erdogan dhe ne kemi zgjedhur zonën e Laçit ku besojmë se do të ketë një transformim rrënjësor me qëllim që njerëzit të kthehen në shtëpi më të mira se ato që kanë qenë.
Ky nuk është thjesht zëvendësimi i godinave të rrënuara po aty, por kemi një transformim të rëndësishëm. Me ministrin kemi folur për një plan më të gjerë, ku agjencia për ndërtimin e këtyure 500 banesave do të bëjë të mundur ndërtimin e tyre, ndërsa ne do të angazhohemi për ndërtimin e hapësirave publike.
Është një program kompleks ku të dyja palët do të ndajnë punët. E falenderoj ministrin, të gjithë delegacioni masiv që ka ardhur bashkë me të” tha Edi Rama.