Nga Kastriot Dervishi

Në ditët e para të vitit 1990 në qytetin e Shkodrës u hodhën trakte antikomuniste. Më 11 janar 1990 në këtë qytet nisi e para demonstratë e heshtur në Shqipëri. Vendi i takimit ishte para bustit të Stalinit. Takimi vijues dhe më kryesori ishte lënë për më 14 janar.

Më 13 janar 1990 organet e punëve të brendshme morën informacionin se më 14 janar do të bëhej demonstratë në pjacë para bustit të Stalinit, bustin e të cilit do ta rrëzonin me litar, ganxha, shishe benzine e lëndë eksplozive. Njerëzit që do të merrnin pjesë në këtë demonstratë do të niseshin në tre drejtime nga lagjet: “Serreq”, “Skënderbeg” dhe “Rus”

Si organizatorë të kësaj veprimtarie shënoheshin Dedë Kasneci dhe Flamur Elbasani, ndërsa do fliste “edhe një prift” (me gjasa Dom Simon jubani). Pas marrjes së kësaj të dhëne ishin ndaluar më 13 janar 1990 (diku tjetër shkruhet edhe 14 janar): Dedë Kasneci, Flamur Elbasani, Rudolf Martini dhe Gjergj Livadhi.

Dokumentet e kohës përshkruajnë data 11 dhe 14 Janar 1990, duke theksuar se “në qendrën e qytetit të Shkodrës ka pasur tendenca organizimi nga shumë persona për të krijuar incidente, për të bërë demonstratë, fillimi i së cilës do të ishte rrëzimi i bustit të Stalinit në qendër të Shkodrës”.Data 11 janar, u konsiderua se “nuk ka patur shqetësime” Me gjithë masat e marra nga regjimi, më 14 janar qendër të qytetit, u grumbulluan “më shumë njerëz nga çdo ditë tjetër e zakonshme” Ata “qëndruan në heshtje” Kur kaloi një makinë e policisë është plasur një kapsollë si dhe është qëlluar makina e policisë me një zare metalike. Dedë Kasneci ishte një ndër personat kryesorë të organizimit të demonstratës së heshtur. Por ai u ndalua pikërisht përpara zhvillimit të kësaj demonstrate.