Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit Enver Hoxha, jetën e saj politike e ka shkruar në një libër me titull, “Përjetime dhe meditime në jetën time politike”. Në këtë libër, Nexhmije Hoxha tregon për jetën e saj politike dhe personale, në krah të Enver Hoxhës. Që nga njohja, vitet në qeverisje dhe deri tek vdekja e Enverit dhe tërheqja zvarrë e monumentit në 20 shkurt të vitit 1991, Nexhmija ka vendosur t’i rrëfejë në një libër.
E veja ka treguar edhe reagimin pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, frika nga turmat që donin të digjnin vilën në Bllok, shpërndarjen e familjes nëpër njerëz të njohur apo në Shtëpinë e partisë, braktisjen nga të gjithë shokët e “armëve” dhe përplasja me Ramiz Alinë dhe Adil Çarçanin, të cilët jo vetëm lejuan që monumenti të rrëzohej e të tërhiqej zvarrë nëpër Tiranë, por nuk treguan asnjë lloj interesi për 24 orë me radhë për familjen Hoxha. Për më tepër, rrëfen vetë Nexhmije Hoxha në librin e saj.
PJESË NGA LIBRI
Dy evenimente mbizotëruan ditën e sotme dhe emisionet e televizionit: dita e Bajramit dhe pesë vjetori i rrëzimit të monumentit të Enverit. Për Bajramin, gratë u veshën e u lyen, kënduan e kërcyen. Ishte për to ditë feste, kurse për mua ditë zie. 20 shkurti më dyndi valë e kreshta kujtimesh nga më të hidhurat e jetës sime. Kaq shumë i kam përjetuar ngjarjet e asaj dite, ditët e netët që e pasuan, dhe i kam shkruar nëpër mend në këta pesë vjet në vetminë time në burg, sa nuk jam e sigurt nëse i kam shkruar në letër apo i kam të shkruara dhe të pashlyera në kokë. Po i shënoj vetëm si kronikë, pa u ndalur në emocionet e mia dhe të njerëzve të familjes sime, sepse edhe vetë kujtimi i tyre më trondit. Isha në zyrën time, nuk mbaj mend sa ishte ora, veçse ishte pak para drekës, kur erdhën dhe me thanë: “Shoku Ramiz tha të shkoni në sallonin e pushimit, të Byrosë Politike”
U duk se isha thirrur vetëm për të asistuar dhe për tu njohur me çfarë po ngjiste. Aty ishin, Adil Çarçani, Hekuran Isai, Kiço Mustaqi, Xhelil Gjoni, Sofo Lazri dhe dikush tjetër. Të gjithë ishim në dijeni të së ashtuquajturës grevë e urisë e studentëve, në Qytetin Studenti, për t’i hequr Universitetit emrin e Enverit. Hekurani rrinte me një takli-valki në dorë e në vesh e vinte e njoftonte se çpo ngjiste jashtë. Erdhën e njoftuan një grup grash me në krye të shoqen e Abdi Baletës, ishin ngulur para Presidencës dhe kërkonin takim me Ramiz Alinë.
Ky dha porosi ti presë Eleni Selenica si anëtare e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Kjo ishte edhe nënpresidente e Bashkimit të Grave të Shqipërisë dhe zëvendëssekretare e Gjykatës së Lartë. Gratë nuk pranonin të takoheshin me të dhe insistonin e kërkonin takim me Ramiz Alinë. Xhelil Gjoni tha: “Po sikur të shkonit ju, shoku Ramiz? Ky nuk iu përgjigj, nuk tha as po, as jo.
Kishte të tjera preokupime në kokë. Erdhi sekretari i ri i Partisë për Tiranën, Robert Koli, që unë e shihja për herë të parë dhe nuk më bëri përshtypje të mirë, madje më çuditi me pamjen e tij aspak të shqetësuar, aspak të mobilizuar, sikur ai s’kishte të bënte fare me ato që po ndodhnin në qytetin e Tiranës. Raportoi me një ton të qetë se masa të mëdha qytetarësh dhe nga ndërmarrjet e Tiranës po ngjiteshin drejt sheshit të Qytetit Studenti. “Po tani ç’do të bëjmë?” pyeti Ramizi.
Këtë pyetje e pasoi një heshtje, që e theu Kiço Mustaqi (atëherë ministër i Mbrojtjes). Ai nxori nga xhepi një letër të palosur, që e lëmoi me pëllëmbë, dhe tha: “Ja ku e kam tekstin e vendimit që duhet të marrë Presidiumi i Kuvendit Popullor për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, por, pa u firmosur nga Kryetari i Presidiumit, unë nuk jap asnjë urdhër dhe nuk marr asnjë masë”. Ramizi, si gjithnjë, i pavendosur për të marrë përgjegjësi personale, tha: “Të mbledhim përsëri Plenumin e KQ”
Natyrisht, ky, në fakt, nuk do të ishte veçse një Plenum i cunguar se koha nuk priste.
U dha porosi të njoftoheshin anëtarët e KQ, që ishin në Tiranë, për një mbledhje urgjente në orën 14 00. Plenumi i KQ ishte mbledhur një ditë më parë dhe, pas diskutimesh të zjarrta e kontradiktore, pranoi (nuk mund të them vendosi se nuk u votua) një formulë kompromisi, që u propozua jo pa dijeninë e Ramizit. Universiteti të ndahej në dy pjesë, degët shoqërore dhe ato teknike, të hiqej nga njëri. Kështu anulohej përgjysmë vendimi i Qeverisë që të mos hiqej emri i Enverit. Natyrisht, unë për çështjen që po diskutohej veçse mund të heshtja, me një dhimbje e keqardhje të thellë në zemër. Dukej se po shkohej drejt lëshimit. Në orët 14, në sallën e madhe të mbledhjeve të Plenumit kishin ardhur anëtarët e KQ që ishin në Tiranë, dhe ndoshta, edhe nga Durrësi, sepse mbaj mend që ishte edhe Moikom Zeqo, që ishte sekretar i Komitetit të Partisë për Durrësin, por jo anëtar i KQ. Në presidium ishin ulur Ramiz Alia, Adil Çarçani, Xhelil Gjoni e dikush tjetër. Ramizi informoi pjesëmarrësit se si mund të dilej nga kjo gjendje. Nuk kishte kaluar shumë nga fillimi i diskutimeve dhe debatit, kur hyri në sallë ndihmësi i Ramizit dhe i dorëzoi këtij një copë letër. Ai e lexoi vetë, pastaj na e lexoi neve. Në të thuhej: “Demonstruesit në Sheshin “Skënderbej” kanë rrëzuar monumentin e shokut Enver…”. Ramizi e ktheu letrën përmbys mbi tavolinë, përplasi pëllëmbën mbi të dhe kaq.
Asnjë fjalë a koment për këtë akt vandal, vetëm tha: “Siç e shikoni shokë, gjendja po acarohet…”
Nga kjo unë nënkuptova se, me një fjalë, “duhet të tërhiqemi…”
Aty ku isha ulur, fillova të qaj në heshtje, e lot të nxehtë që rridhnin vetë dhe koka më buçiste fort nga rrahja e tëmthave. Nuk kaluan veçse disa minuta, kur Ramizit i dorëzuan një njoftim të dytë. Ai e lexoi dhe tha: “Monumentin po e heqin zvarrë për ta çuar te studentët në grevë…”
Unë nuk durova më, jo vetëm nga dhimbja, por shumë e revoltuar nga kjo mbledhje forumi, gjoja kolegjial, ndaj mblodha letrat me shënime, i futa në çantë, u ngrita dhe pa marrë leje dola nga salla. Jam penduar shumë, që para se të largohesha, nuk iu drejtova Ramizit e t’i thosha: “Ç’bëhet kështu, shoku Ramiz, në rrugë po heqin zvarrë monumentin e udhëheqësit tonë, Enver Hoxhës, për tua çuar “kurban” studentëve, gjoja në grevë urie, e ne rrimë e diskutojmë këtu si ti kënaqim ata, duke i hequr dhe emrin e tij universitetit, që ai ngriti…”