Shtimi i numrit të shqiptarëve që kërkojnë azil në shtetet e BE-së ka detyruar Ministrinë e Brendshme që të nxjerrë dy urdhra të posaçëm për të shtuar kontrollin në pikat e kalimit kufitar. Këto super rregulla janë firmosur nga ministri Sandër Lleshaj.

Këto urdhra synojnë forcimin e kontrollit nga policia ndaj shtetasve shqiptarë në dalje të kufirit shtetëror, duke kthyer mbrapsht ata që nuk plotësojnë kushtet e udhëtimit për hyrjen dhe qëndrimin në vendet e Bashkimit Evropian dhe zonës Schengen. Polici i pikës kufitare ka si detyrim të kryejë verifikime dhe intervistime të detajuara, për: adresën e saktë të akomodimit në vendin e destinacionit ku do të shkojë, ftesën e pritësit në vendin e destinacionit , biletën apo rezervimin për kthimin, mjetet financiare për mbulimin e shpenzimeve për kohën e qëndrimit.

Rregullat janë të njëjta me ato që kërkohen nga vendet e BE-së që janë pjesë e zonës Shengen (Schengen). Në pikën katër të këtij urdhri përcaktohet se të gjithë shtetasit shqiptarë të kategorisë “Inad” gjatë dy viteve të fundit, nga data e paraqitjes në Pikat e Kalimit Kufitar, për shkak të masës së ndalimit të hyrjes në zonën “Schengen” me arsyetimin “Për informacione në SIS” “Refuzim azili” dhe “Rrezik për sigurinë publike” dhe të gjithë shtetasit shqiptarë të kategorisë “Deportiv” gjatë tre viteve të fundit, nga data e paraqitjes në Pikat e Kalimit Kufitar, për shkak të çdo lloj arsye dhe janë të regjistruar në sistemin TIMS si të tillë, të mos lejohen të kalojnë kufirin shtetëror deri në paraqitjen e një dokumenti shkresor, të përkthyer në gjuhën shqipe dhe të noterizuar, që provon se nuk kanë ndalim hyrje, urdhër largimi ose dëbimi në vendet e Bashkimit Evropian dhe zonën Schengen.

Kur shtetasit paraqesin një vendim gjyqësor apo administrative kur vërtetojnë se nuk kanë pengesë për të udhëtuar, atëherë punonjës i kalimit kufitar duhet të bëjë shënimet përkatëse në sistemin TIMS te rubrika “Shënime”

Një kopje origjinale ose fotokopje e njësuar me origjinalin e dokumentit justifikues, të përkthyer në gjuhën shqipe dhe të noterizuar, administrohet në Pikën e Kalimit Kufitar për një periudhë 2 vjeçare.

Ndërsa përcaktohet se nuk do të lejohen në rastet kur argumentohet se: nuk ka dokumentacionin e duhur që justifikon qëllimin e udhëtimit dhe kushtet e qëndrimit; ka qëndruar më shumë se 90 ditë në 180 ditët e fundit, në territorin e zonës Schengen, nuk ka mjete të mjaftueshme jetese për periudhën, kohën dhe mënyrën e qëndrimit, ose mjete finaciare për kthimin në Shqipëri, është person për të cilin rezulton njoftim/informacion në sistem.

Në urdhrin tjetër përcaktohet se në rastet kur i mituri udhëton në shoqërinë e njërit prej prindërve, prindi që e shoqëron duhet të jetë i pajisur me deklaratë noteriale të prindit tjetër, ku autorizohet udhëtimi i të miturit në shoqërinë e prindit, ose me vendim gjyqësor që e lejon të udhëtojë të miturin me njërin nga prindërit. Në të gjitha rastet lëshohet deklarata noteriale edhe kur fëmija udhëton në grup. Të gjitha dokumentet që administrohen në Pikat e Kalimit të Kufitar në zbatim të këtij udhëzimi, ruhen për një afat njëvjeçar dhe në përfundim të këtij afati asgjësohen nga një komision i ngritur me urdhër të drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin. Për procedurën e asgjësimit mbahet një procesverbal, ku shënohet lloji i dokumentit, numri dhe data e tij. Ky udhëzim i posaçëm lëshohet nga ana e ministrisë për shkak se ka pasur shumë largime drejt vendeve të BE-së të fëmijëve shqiptarë të mitur që kërkojnë azil, apo janë përdorur nga trafikantët. Mijëra shqiptarë po emigrojnë drejt vendeve të BE-së duke kërkuar edhe azil. Për shkak të politikave sociale, destinacioni kryesor i shqiptarëve ka qenë kohët e fundit Franca, ku janë paraqitur gati gjysma e totalit të kërkesave për azil. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2019, 4,335 shqiptarë kanë aplikuar për azil në shtetin francez. Për më tepër, nga Shqipëria ka pasur 10,680 kërkesa në të gjithë BE-në. Kjo do të thotë që, që nga fillimi i vitit, mesatarisht 1780 shqiptarë janë larguar nga vendi çdo muaj.

Pas Francës, shteti i dytë me numrin më të madh të azilkërkuesve shqiptarë është Mbretëria e Bashkuar, ku 1870 janë regjistruar për aplikime në gjashtë muajt e parë të 2019, pasuar nga Greqia me 1480 kërkesa për azil dhe Italia me 830. Gjermania prej kohësh është shndërruar në një destinacion më pak të preferueshëm, pasi shanset për të marrë një përgjigje pozitive janë të shumë herë më të ulëta. Për gjashtë muajt e parë të vitit 2019, të dhënat nga Eurostat tregojnë se vetëm 850 shqiptarë kanë aplikuar për azil në Gjermani, pasi shqiptarët preferojnë të emigrojnë drejt ekonomisë më të madhe të BE-së nëpërmjet kontratave të punës.

Nga ana tjetër, shqiptarët kanë paraqitur 1.200 aplikime shtesë në vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Irlanda mori 465 kërkesa për azil gjatë këtyre muajve, 215 kërkesa u paraqitën në Suedi dhe Belgjikë, 110 në Holandë, 65 në Spanjë, 60 në Zvicër, 50 në Norvegji, si dhe 30 kërkesa në Luksemburg dhe Danimarkë.