Pas 6 muajsh pushim pas prishjes së bashkëpunimit me Teutën, mesa duket Armando Vajushi ka gjetur një skuadër të re.
Sulmuesi shkodran nuk do të rikthehet në Itali për të mbajtur sërish veshur fanellën e Avellinos, por do të transferohet në ligën e dytë të futbollit rumun te një skuadër me emër, por që në vitet e fundit ka qenë në vështirësi për shkak të problemeve me financat.
Siç e kanë konfirmuar edhe vetë drejtuesit e këtij klubi, Armando Vajushi ka arritur akordin dhe do të firmosë me Petrolul Ploiesti që aktualisht pozicionohet në vendin e 8-të të ligës së dytë të futbollit rumun, por synon ngjitjen në elitë.
Petrolul Ploiesti është një skuadër që ka luajtur edhe në Kupat e Europës në dekadën e fundit madje është ndeshur edhe Flamurtarin në turin dytë kualifikues të Europa League në vitin 2014, duke e eliminuar lehtësisht skuadrën vlonjate me rezultat të përgjithshëm 5-1.
Pas eksperiencave në Shqipëri, Bullgari dhe Itali, Rumania është vendi i 4-t ku Vajushi do të provojë veten si futbollist.