41 shërbime të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale ofrohen online, duke eliminuar burokracitë dhe radhët në sportele për qytetarët. Kryeministri Edi Rama ishte sot në qendrën shëndetësore të rindërtuar në Vorë, ku ofrohen shërbimet online që nga 1 janari.
“Imagjinoni vetëm për Kartën e Shëndetit, 30 mijë qytetarë duhet të merrnin rrugën e mbanin radhë dy herë, një herë për aplikimin dhe njëherë për marrjen e kartës. Sot nuk ka më nevojë të harxhojnë asnjë minutë dhe asnjë lek” tha Rama.
Kryeministri shtoi se nuk do të ketë më qytetarë në këmbë duke pritur administratën, po administrata do të jetë në këmbë për të plotësuar dosjet e qytetarëve që aplikojnë online dhe kthyer përgjigje online në afatin ligjor për përmbushjen e kërkesës.
Gjatë vizitës në qendrën shëndetësore në Vorë, kryeministri iu drejtua një qytetari që priste kartën e shëndetit me vulë elektronike, se nuk do të ketë më nevojë për të. Ai e grisi letrën, duke shpjeguar se nga 1 janari çdo mjek familjeje e ka informacionin në sistem për çdo qytetar, nëse është i siguruar apo jo.
“Kjo është karta e shëndetit me vulën elektronike për të cilën qytetarët shqiptare kanë bërë 60 mijë udhëtime në vit. Këtë tani harrojeni nuk do të keni më nevojë, iu drejtua kryeministri Rama qytetarëve.