Kur flasim për selamin, ne po flasim për një traditë shumë të bukur islame. Dhënia selam ishte veprimi i parë i Hz. Ademit (a.s.) në komunikimin e tij me melekët. Prej këtu kuptojmë edhe vlerën dhe madhështinë e selamit, që është një fjali e shtrenjtë, të cilën All-llahu i Madhëruar ia mësoi njeriut të parë në xhennet!
Pra, njeriu sot, e deri në ditën e fundit të jetës mbi tokë, kur i jep selam dikujt, çon ndër mend babain e tij të parë teksa i jepte selam melekëve. Me fjalë të tjera, kjo shprehje është e veshur me dritën e Zotit, me mirësi e bekim prej Tij xh.sh.
Teksa japim selam, dëshmohemi se jemi shoqëri e lartë, shoqëri melekësh, shoqëri pastërtie dhe përuljeje ndaj Zotit! Si për t’i vërtetuar njëri-tjetrit dhe gjithësisë se, prej nesh nuk vjen e keqja!
E kemi thënë dhe vazhdojmë ta përsërisim se, nuk i vjen e keqja as popullit tonë, as njerëzimit mbarë, nga Islami! Çdo e mirë na ka ardhur nga Islami!
All llahu i Madhëruar i hapi zemrat e të parëve tanë nërmjet kësaj përshëndetjeje të shtrenjtë! All llahu i Madhëruar i ndriçoi zemrat e të parëve tanë para shumë shekujsh dhe e përqafuan me zemër dhe me bindje të plotë, siç e kemi përqafuar edhe ne, këtë Islam të pastër, me të cilin themi se, All-llahu na nxori nga errësira në dritë!
Çfarë do të ishim, po të mos ishim muslimanë? Çfarë do të ishim po të mos ishim ymeti i selamit? Çfarë do të ishim po të mos i mësonim fëmijëve dhe shoqërisë tonë këtë Islam të pastër, i cili na merr për dore drejt çdo të mire, drejt çdo zhvillimi, drejt dijes, drejt pastërtisë, drejt ruajtjes së vlerave!
Çdo gjë në këtë fé të madhnueshme islame është vlerë! Ne jemi të edukuar me vlera, jetojmë me vlera, përhapim vlera dhe, asgjë të mangët nuk ka në fenë tonë islame! Çdo gjë e kemi në vendin e duhur dhe çdo gjë që buron nga ky Kur’an i madhnueshëm, që vjen nga Zoti i gjithësisë, është i mbushur me bekim dhe urtësi për jetën tonë!