Në sesionin e ri parlamentar që nis me 20 Janar, deputetët do të duhet të diskutojnë e miratojnë paketa të rëndësishme legjislative e një ndër to është edhe paketa ligjore anti-KÇK, një ndër prioritetet e mazhorancës socialiste.

Diskutimi në komisionet parlamentare të draftit të qeverisë për të luftuar atë pjesë të njerëzve të drejtësisë, gjyqtarë e prokurorë që ende nuk e kanë kaluar Vettingun, por edhe anëtarët e organizatave kriminele, do të jetë ndër të parat që do shqyrtohet në komisionet parlamentare. Më 25 nëntor, në prezantimin e projektligjit, kryeministri Edi Rama cilësoi KÇK-në si një organizatë kriminale, kancerin e sistemit të drejtësisë. Madje, Rama urdhëroi që të gjithë deputetët e PS-së ta votojnë ligjin, përndryshe do përjashtohen nga grupi parlamentar.

Parlamenti, me nisjen e sesionit të ri, do duhet të votojë edhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, pasi më 26 dhjetor ka marrë nga KED listën e kandidatëve, që përbëhet nga Artur Metani, Sokol Stojani, Joana Asimi Sorraj, Eris Hysi dhe Lindita Troja.

Komisioni i Reformës Zgjedhore do vijojë punën e lënë përgjysmë, me qëllimin për kalimin sa më parë të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Për Reformën Zgjedhore ndërkohë po punojnë edhe partitë e opozitës jashtëparlamentare.

Kryeministri Edi Rama gjatë vjeshtës së kaluar kishte deklaruar prerë se faza e parë e Reformës Zgjedhore do kalonte në Parlament në fund të dhjetorit. Gjë që nuk ndodhi. E në këto kushte deputetët do duhet të kalojnë ndryshimet e bazuar kryesisht në rekomandimet e OSBE/ODIHR. Faza e dytë e Reformës Zgjedhore, sipas mazhorancës, i takon çështjeve me karakter politik, siç është ndryshimi i sistemit zgjedhor, i kërkuar me ngulm nga deputetët e opozitës parlamentare.

Edhe pse jashtë Parlamentit, opozita e bashkuar ka intensifikuar punën mbi përgatitjen e draftit të saj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Edhe pse mazhoranca i ka lënë në dispozicion një vend në komisionin parlamentar të Reformës Zgjedhore, pikëpyetja ngrihet nëse opozita jashtëparlamentar do e shfrytëzojë këtë mekanizëm apo do kërkojë mundësi tjetër.

Ky vit politik ka rëndësi edhe mbi fatin e mandatit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili është nën hetim parlamentar. Ndërkohë, pritet të shihet edhe qëndrimi i Kreut të Shtetit në raport me situatën e krijuar në tre bashki, Shkodër, Durrës dhe Vorë, të cilat kanë mbetur pa kryetar.

Me kërkesë të mazhorancës, Kuvendi ngriti komisionin hetimor parlamentar për verifikimin e ligjshmërisë së vendimit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Në fund të dhjetorit të kaluar, po me kërkesë të socialistëve komisionit hetimor iu shtua edhe një tjetër objekt hetimi, “kontrolli i ligjshmërisë së vendimeve të Presidentit për emërimin e anëtareve të reja në Gjykatën Kushtetuese”

Por, këto lëvizje të mazhorancës për Presidentin Meta janë tërësisht antiligjore dhe synojnë kapjen e të vetmit institucion të lirë, atë të Presidencës. Si reagim, Ilir Meta deklaroi në nëntor se për të mbrojtur Kushtetutën do t’i drejtohej popullit për referendum.

Ilir Meta ka në dorë edhe zgjidhjen e ngërçit të krijuar në bashkitë Shkodër, Durrës e Vorë, të cilat aktualisht janë pa kryetarë. Kushtetuta sanksionon se vetëm Presidenti i Republikës ka të drejtën e dekretimit të datës së zgjedhjeve.

Nën shenjën e këtyre zhvillimeve të pritshme, që nisin me acarin e janarit, viti politik parashikohet të jetë i nxehtë.