Tetë nga nëntë anëtarët e familjes Lala humbën jetën më 26 nëntor, pasi lëkundjet e tërmetit shkatërrimtar e kthyen ndërtesën 4-katëshe ku ata banonin, brenda pak sekondash, në një pirg rrënojash betoni dhe hekuri në zonën e ish-kënetës në Durrës.
Dy muaj më vonë, prokurorët po analizojnë me kujdes të dhënat e përftuara nga analizat laboratorike të materialeve të ndërtimit të përdorura në ndërtesën e rrënuar, në përpjekje për të gjetur shkaqet e rrëzimit të saj.
“Prokuroria Durrës ka administruar analizat laboratorike nga laboratori dhe nga të dhënat paraprake dyshohet se betoni i përdorur është jashtë standardeve të ndërtimit” sqaroi për BIRN një prej tre prokurorëve që po hetojnë çështjen.
Pas tërmetit, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës regjistroi një procedim penal për veprat e shpërdorimit të detyrës, ndërtimit në kundërshtim me rregullat teknike me pasojë vdekjen dhe vrasjen me dashje.
Më 14 dhjetor, me urdhër të prokurorisë, Policia e Shtetit arrestoi 9 persona dhe shpalli në kërkim 8 të tjerë, të dyshuar si përgjegjës për shembjen e 4 ndërtesave me pasojë humbjen e jetëve njerëzore. Në total vetëm në Durrës, nga tërmeti u shembën tërësisht 7 ndërtesa ku humbën jetën 23 persona – përshirë dhe 8 anëtarë të familjes Lala.
Analizat e betonit për 7 ndërtesat e shkatërruara, të para nga BIRN, tregojnë se në të paktën 4 prej tyre, marka e betonit të përdorur për ndërtim dyshohet se ka qenë nën standard. Megjithatë, tre inxhinierë ndërtimi të pavarur, të konsultuar nga BIRN, këshilluan që të bëhet kujdes për të arritur në përfundime mbi shkaqet që mund të kenë determinuar ose kontribuar në kolapsin e ndërtesave.
Përveç shtatë ndërtesave ku u regjistruan viktima, hetimi i Prokurorisë së Durrësit mbi materialet e ndërtimit pritet të shtrihet edhe në qindra pallatet e dëmtuara nga tërmeti, duke pasur qëllim zbardhjen e shkaqeve dhe përgjegjësit që kanë kontribuar në dëmtimin e tyre.