I është vënë tritoli gjatë mbrëmjes së djeshme banesës së Shefit të stacionit policor të Thethit në Shkodër, Prel Milani. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 21:45 në lagjen ‘Guerrile’ në qytetin verior. Sipas burimeve për Report Tv tritoli banesës së shefit të komisariatit, Prel Milani i është vënë në pjesën e pasme.

Duke shfrytëzuar errësirën e natës dhe lëvizjet e pakëta në rrugë, autorët e kësaj ngjarje kanë mundur të largohen pa u pikasur nga askush. Fatmirësisht nga shpërthimi i fuqishëm nuk ka patur persona të lënduar por vetëm dëme materiale. Ndërkohë ende nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarje dhe pritet që grupi hetimor të zbardh të plotë atë dhe të sqarojë nëse bëhet fjalë për ndonjë konflikt me persona të tjerë të vetë shefit të Prel Milani apo për shkak të detyrës.

Por sikur kjo të mos mjaftonte, një tjetër shpërthim me tritol ka ndodhur po në qytetin e Shkodrës. Shpërthimi tjetër me lëndë plasesë ka ndodhur në fshatin Grude e Re në banesën e Kolë Bungaja. Lënda plasëse e cila dyshohet të jetë tritol i është vendosur në portën hyrëse të banesës. Si pasojë e shpërthimit ka pasur dëme materiale. Banorët ishin në shtëpi në gjumë në momentin e shpërthimit. Ndërkohë po punohet për të zbuluar rrethanat e ngjarjes si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit.