Kryeministri Edi Rama deklaroi se viti që sapo shkoi, 2019-ta, ishte ndër më të vështirët gjatë qeverisjes së tij. I ftuar në emisionin ‘Java’ në RTSH ai tha se viti nisi me një konflikt të madh siç ishin protestat, apo dhe zgjedhjet e 30 qershorit, që i quajti të pazakonta, për ta mbyllur me tërmetin shkatërrimtar të 26 nëntorit.

“Në kujtesën time si kryeministër, ka qenë viti më i vështirë. Një vit që në gjysmën e parë u karakterizua nga një konflikt i madh, nga një ngërç i madh. nga një situatë ku u vumë në pozitivë të vështirë si vend. Dhe pastaj me një palë zgjedhje jo atipike, po realisht të pazakonshme deri në fund. Zgjedhje të bojkotuara nga opozita dhe në një pjesë të madhe të bashkive me një kandidat. Pastaj një tërmet psikologjik, siç ishte refuzimi i çeljes së negociatave me BE. Pastaj me një kulmim tragjik me tërmetin e 26 nëntorit, që krijoi mundësinë e një fillimi të ri. Ky vit që ka filluar do jetë viti i një fillimi të ri, edhe falë shtysës që gjeneroi kjo situatë” tha Rama.