Atleti shkodran Irfan Domnori është arrestuar nga policia e Malit të Zi.
Denoncimin e ka bërë bashkëpunëtorja e Irfan Domnorit, në shoqatën “Foleja kombëtare shqiptare”, Elida Jorgoni.
Në një prononcim për mediat, ajo ka treguar se pasi nuk ka arritur të lidhej dot në telefon me Irfanin, ka bërë denoncim në policinë e Shkodrës për zhdukjen e papritur të tij dhe aty ka mësuar se ai është arrestuar nga malazezët por pa patur një informacion tjetër.
“Irfani kaloi doganën dhe rezulton që nuk është regjistruar, kjo është për faj të doganiereve! Ai ndodhet në rrezik pasi në atë burg ka edhe shumë serbë! Apel shtetit shqiptar të reagojë!”, tha Jorgoni.
Herën e parë në muajin nëntor, Domnori u ndalua pasi kishte valëvitur flamurin shqiptar në Krajë dhe u gjobit me 300 euro si dhe një muaj për të mos hyrë në Malin e Zi. Pasi ka kaluar një muaj nga ky vendim i Gjykatës së Tivarit, Irfan Domnori është drejtuar sërish për në Malin e Zi për të marrë pjesë në një aktivitet atje dhe përsëri ka qenë me flamurin shqiptar.
Mbajtja e flamurit në një ekspozitë ku ka marrë pjesë atje i ka kushtuar edhe më rëndë 64 vjeçarit, sepse policia malazeze e ka arrestuar për të dytën herë dhe ndryshe nga më përpara kur u mbajt për pak kohë tashmë janë bërë 7 ditë që shkodrani ndodhet i burgosur në Malin e Zi.
Një reagim ka bërë edhe Ambasada shqiptare në Podgoricë duke bërë me dije se atleti shkodran është në burgun hetues në Spuzhë pasi është dënuar atje me 10 ditë burg.