Vllaznia bëri një performancë të mirë në pjesën e parë të sezonit, por sipas kapitenit Gilman Lika, duke parë nivelin e kampionatit, skuadra shkodrane kishte mundësi për më tepër. Mesfushori “veteran”, i cili nuk e braktisi skuadrën as kur ajo zbriti në Kategorinë e Parë, në një bisedë për “RTSH Sport”, foli për ecurinë e Vllaznisë, si dhe atë që pret në vazhdimësi.
“Jam i kënaqur me atë që bëmë në pjesën e parë të këtij sezoni, sepse kemi treguar se mund të luajmë mirë edhe kundër ekipeve të forta. Kemi mundësi për më tepër, sepse ky kampionat nuk ka shumë diferenca.
Tani duhet të japim më shumë në minifazën përgatitore dhe të kemi një nivel më të lartë për pjesën e mbetur të kampionatit, e cila do të jetë më e vështirë”, ka thënë fillimisht Lika, i cili i kthehet ndeshjes së javës së 17 ndaj Partizanit, ku thekson se skuadra nuk duhet të dilte pa pikë.
“Meritonim më shumë në ndeshjen e fundit me Partizanin. Skuadra bëri një ndeshje të mirë, por u ndëshkuam nga një episod. Megjithatë, këto gjëra ndodhin në futboll. Duhet ta shikojmë gotë gjysmë plot, sepse kemi bërë vërtetë gjëra të mira”.
Lika foli edhe për veten. “Nuk jam krejt i kënaqur. Kam më shumë mundësi, por detyra është të stërvitem sa më shumë, që të jem i vlefshëm për skuadrën”. Në fund, ai i bëri apel klubit që të jetë i kujdesshëm në merkato, ndërsa beson tek afrimi i lojtarëve cilësorë.