Një muaj më parë Shqipëria u godit nga një tërmet i fuqishëm. Shumë klube të futbollit brenda dhe jashtë vendit u solidarizuan me të prekurit nga tërmeti duke i ndihmuar sadopak njerëzit e prekur nga kjo fatkeqësi.

Së fundmi, FSHF ka konfirmuar se në ‘Air Albania’ do të zhvillohet një miqësore mes yjeve të futbollit botërorë.

Yje nga Italia, Turqia, Greqia e të kombëtares sonë, do të bëhen bashkë në një ndeshje ku të gjitha të ardhurat e siguruara nga biletat do të shkojnë për bamirësi për zonat e prekura nga tërmeti.
“Yjet historikë të kombëtareve të Shqipërisë, Italisë, Greqisë dhe Turqisë do të zbresin në fushën e Air Albania Stadium në datë 10 janar. Ky festival i futbollit me emrat e njohur të katër kombëtarëve, siç janë Zambrota e Perrota, Kampionë të Botës në 2006, apo Hasan ?a? i cili ishte një nga liderat e Turqisë në Botërorin e vitit 2002 ku u renditën në vendin e tretë si dhe fqinjët grekë të cilin fituan Kampionatin Europian në vitin 2004 nën dirigjimin e Karagunis, synon krijimin e një tradite të tillë në futbollin shqiptar për të afruar sportadëshit me emrat e mëdhenj të futbollit tone dhe atij ndërkombëtar. Të gjithë të ardhurat e siguruara nga shitja e biletave të ndeshjes do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit. Ky turne organizohet nga Sindikata e Futbollit me mbështetjen e plotë të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Federata e Futbollit dhe Sindikata e Futbollistëve, fton të gjithë sportdashësit në këtë festival të paharrueshëm, ku do të performojnë në fushën e blertë emra të dashur, historikë dhe kampionë të futbollit, pa harruar edhe performancën artistike të emrave të mëdhenj të muzikës shqiptare. Le të bashkohemi në këtë turne për të dhënë sadopak ndihmesë për të prekurit. Ky projekt i përgjegjësisë sociale, vjen në vazhdën e aktiviteteve të pandërprera të Federatës së Futbollit, të stafit dhe djemve e vajzave të kombëtareve shqiptare për të ndihmuar dhe lehtësuar familjet e prekura nga tërmeti. Fokusi parësor ka qenë te fëmijët.

Federata e Fubollit është zotuar të ndërtojë të paktën tre shtëpi të rrënuara nga tërmeti, ose më shumë në varësi të fondeve të mbledhura. Ka nisur tashmë evidentimi i shtëpive” shkruhet në njoftimin e FSHF-së.