Vllaznia do të ketë për vitin 2020 jo më shumë se 440 milionë lekë të vjetër në dispozicion. “Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në klub, se kjo është shifra që ka menduar Bashkia Shkodër për të miratuar në buxhetin e 2020-ës.
Mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak për këtë vit do të zhvillohet pikërisht sot dhe mund të thuhet se buxheti për klubin nuk mjafton aspak për nevojat që ka skuadra.
Pra, duke iu referuar edhe sezoneve të tjera, kur kuqeblutë militonin në Superiore, 440 milionë lekë nuk janë të mjaftueshëm për pjesën e mbetur të këtij sezoni, por edhe për riformatimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm.
Kjo shumë nuk korrespondon as me synimet ose objektivat që janë paraqitur në buxhet për këtë sezon, teksa Vllaznia kërkon ndërtimin e një ekipi konkurrues për Kupat e Europës.
Shkodranët janë sa afër dhe larg këtij objektivi, sepse momentalisht mbajnë vendin e 7-të me 23 pikë, 5 pikë më pak se Tirana e vendit të tretë, një pozicion ky që të kualifikon direkt në Ligën e Europës.
Nga ana tjetër, kuqeblutë janë vetëm 2 pikë më shumë se Skënderbeu i vendit të 8-të, një pozicion që të çon në “play-out”. Vllaznia ka edhe një mundësi, nëse fiton Kupën e Shqipërisë, ndërsa ndodhet mes 16 më të mirave dhe përballjen e turit të dytë e ka kundër Flamurtarit.
Në fakt, është ende herët për të bërë llogaritë, sepse ka përfunduar vetëm pjesa e parë e sezonit dhe gjërat mund të ndryshojnë në vazhdim, aq më tepër që jemi para merkatos.
Gjithsesi, shuma prej 440 milionë lekësh të vjetër është më pak se sa ajo e vitit të kaluar, kur Vllaznia ndodhej në Kategorinë e Parë. Drejtuesit e klubit kanë pritur një shumë më të madhe, por bashkia ka vendosur të parashikojë madje 10 milionë lekë të vjetër më pak se vitin e kaluar, kur synimi i shkodranëve ishte të ngjiteshin në Superiore.
Në mars të 2019-ës u zhvillua edhe një mbledhje e asamblesë, teksa u miratuan 967 milionë lekë të vjetër për klubin, por kjo shumë është fiktive, sepse nuk shkoi asnjëherë në arkën e Vllaznisë.