Katër gjyqtarë të shkallës së parë të Shkodrës do të dalin përpara Vettingut këtë sezon gjatë seancave që do të zhvillohen. Kështu tashmë janë përcaktuar këta katër emra që do të përballen me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ose siç njihet Vettingu. Katër emrat e përzgjedhur janë gjyqtarja Mira Dedja, Luveda Dardha, ish kryetari aktualisht gjyqtar Andri Ymeri të cilit pak kohë më parë i dogjën makinën poshtë shtëpisë ngjarje për të cilën ende nuk janë zbardhur autorët dhe gjyqtari i katërt është nga shkalla e parë në Shkodër është Albano Çepele.

Në këtë mënyrë në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër kanë mbërritur përfaqësues nga ministria e drejtësisë, dy nga Vettingu ose Komisioni i Pavarur i Kualifikimit por edhe nga Këshilli i Lartë i Gjykatës. Të gjithë bashkë siç mësohet kanë përzgjedhur me short në mënyrë të rastësishme dosjet që kanë gjykuar gjyqtarët Mira Dedja, Luveda Dardha, Andri Ymeri dhe Albano Çepele për t’i shqyrtuar gjatë procesit të Vettingut.

Natyrshëm ashtu siç ka ndodhur me të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e deritanshëm edhe katër gjyqtarët e Shkodrës do të futen në sitën e Vettingut duke nisur që nga hetimi i pasurive të tyre nëse do të mund ta justifkojnë për të vijuar më pas me integritetin dhe lidhjet e ndryshme me persona problematik nëse kanë si dhe profesionalizmin në dhënien e vendimeve si gjyqtar të gjykatës së shkallës së parë në Shkodër.

Këta emra duhet pritur që të dalin përpara trupës së Vettingut për të parë nëse do të mund të arrijnë që ta kalojnë apo jo. Nga sa mësohet përfaqësuesit e ministrisë së drejtësisë, Vettingut dhe Këshillit të Lartë të Gjykatës kanë qëndruar për disa orë në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër derisa kanë përfunduar procedurat për katër gjyqtarët të cilët shumë shpejt do të kenë provën më të vështirë.

Nga gjykata e shkallës së parë në Shkodër deri më tani është larguar vetëm ish kryetari Arben Zefi i cili u dorëhoq përpara se të diltë në Vetting. Ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia që edhe ndonjë nga katër gjyqtarët e shkallës së parë në Shkodër që do dalin para Vettingut, Mira Dedja, Luveda Dardha, Andri Ymeri dhe Albano Çepele të dorëhiqen. Një vendim të tillë nuk e ka marrë ende asnjëri prej tyre dhe duhet pritur deri në fund se çfarë do të ndodh /star plus/