Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka dekoruar me medaljen “Mirënjohje publike” Marc I. Ghorayeb, Konsullin e Përgjithshëm të Nderit të Shqipërisë në Liban, për lirimin e Alvin Berishës. Kjo dekoratë është dhënë me motivacionin “Për merita dhe shërbime të veçanta për sigurimin e kushteve për lirimin nga kampi Al Hol, Siri, të shtetasit shqiptar, Alvin Berisha”

Ceremonia e dorëzimit të medaljes u zhvillua në Ministrinë e Brendshme, gjatë një vizite që Ghorayeb po zhvillon në Tiranë. Ministri Lleshaj vlerësoi fort angazhimin e tij, si një gjest qytetar, më shumë e përtej detyrës.

Ministri Lleshaj, teksa i dorëzoi medaljen u shpreh “Gjatë fillimit të muajit nëntor zhvilluam së bashku një punë shumë të rëndësishme, që kishte të bënte me lirimin dhe me sjelljen në atdhe të një qytetari shqiptar, një fëmije, Alvin Berishës, gjatë të cilit zoti Ghorayeb u angazhua personalisht, vetë në cilësinë e Konsullit të Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban, në cilësinë e një qytetari të Shqipërisë, në cilësinë të një qytetari të Libanit, por jo vetëm vetë si Marc, por edhe si familje. Gjithë familja e tij u angazhua dhe na krijoi lehtësi të jashtëzakonshme, që mundësuan që Alvin Berisha të kthehej shëndosh e mirë, pranë familjes së tij.Për mua ka qenë hera e parë që e njoh zotin Ghorayeb gjatë këtyre ditëve dhe jam befasuar shumë pozitivisht, lidhur me angazhimin e tij, që ka patur në shërbim të imazhit të Shqipërisë në Liban në tërësi, edhe në Lindjen e mesme e më gjerë. Ka arritur të krijojë një Konsullatë, e cila është model edhe për shumë nga Ambasadat tona, nëse e krahason për nga niveli i performancës që jep.

Gjatë ditëve që ishim në Liban përmes kontakteve, angazhimit të tij personal dhe familjar, mundësoi që ne të kishim gjithë akseset e nevojshme pranë autoriteteve të sigurisë në të gjitha nivelet, që nga Ministri i Brendshëm dhe autoritetet e tjera ligjzbatuese e të inteligjencës. Zhvilluam një aksion shumë të ndërlikuar dhe arritëm të kemi sukses” shkruan Lleshaj.

Me këtë rast, e shfrytëzoj këtë mundësi për ta falënderuar Marcun për angazhim e tij, e për t’i dhënë në shenjë mirënjohje medaljen për “Mirënjohjen publike” shkruan Lleshaj.

Historia e 11-vjeçarit u bë publike nga emisioni investigativ italian “Le Ienne” ku me ndihmën e gazetarëve, pas pesë vitesh kërkimeve në fund, i ati i dëshpëruar Afrim Berisha, arriti të depërtonte në kampet e Sirisë dhe takoi të birin, në 25 shtator të këtij viti.

Tre ditë pas publikimit të investigimit të “Le Iene” për rastin e fëmijët 11 vjeç dha dorëheqjen edhe Genti Gazheli, ambasadori i Shqipërisë në Turqi, por të prekurit nga historia e të voglit shqiptar nuk u dorëzuan.

Italianë, shqiptarë dhe njerëz anë e mbanë botës bashkë me median ushtruan presion mbi qeverinë shqiptare dhe organet kompetente në mënyrë që 11-vjeçari të hidhej sërish në krahët e të atit dhe këtë herë për të mos u larguar më kurrë.