Arben Zefi ka drejtuar Gjykatën e Shkodrës. Në 10 janar të këtij viti, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (shkalla e parë e Vetingut), me trupë gjykuese të përbërë nga Firdes Shuli, Roland Ilia dhe Etleda Çiftja, vendosi ta shkarkonte nga detyra, me arsyetimin se ka cenuar besimin e publikut tek drejtësia.
Përpos të tjerave, trupi gjykues, në vendimin e shkarkimit, theksonte se Zefi nuk kishte deklaruar në deklaratën për Vetingun edhe një shumë prej 100 mijë USD që ia kishin hedhur në llogari. Ditën e shkarkimit, kryegjyqtari Arben Zefi ka paraqitur dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në një kohë kur Komisioni për Zhvillimin e Karrierës pranë KLGJ kishte përgatitur një relacion për të pranuar dorëheqjen, në 26 mars të 2019, Arben Zefi bën një tjetër kërkesë, ku tërhiqet nga dorëheqja. Kërkesën për dorëheqje nga tërheqja, Arben Zefi e bëri katër ditë para se t’i kërkonte Kolegjit të Apelimit rrëzimin e vendimit të KPK-së për shkarkimin e tij.
KLGJ ka vendosur të mos shprehet në lidhje me këto kërkesa të gjyqtarit Zefi, deri sa të shprehet me vendim të formës së prerë Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Por, para vendimmarrjes, Arben Zefi është ftuar në mbledhjen e KLGJ për të mbajtur qëndrimin e tij para anëtarëve, në 24 prill të 2019. Gjatë fjalës së tij, Zefi shprehet para anëtarëve të KLGJ se kishte depozituar dorëheqjen para se të merrej vendimi nga Komisioni i Vetingut pasi moralisht nuk donte të ikte nga sistemi i drejtësisë me shkarkim. Kryegjyqtari ka pohuar se më mirë t’i thonin frikacak, duke dhënë dorëheqjen, se sa të shkarkohej dhe të hidhej baltë mbi të, duke e perceptuar si të korruptuar.
“Për mua rëndësi më të madhe ka, si i themi ne andej nga Shkodra, erzi (fytyra), mënyra në të cilën jetoj në atë komunitet, se sa detyra ime e gjyqtarit” thotë ai.
Po pse Arben Zefi është tërhequr më pas nga dorëheqja?
Ai thotë se është tërhequr pas zbardhjes së vendimit të KPK-së për shkarkimin e tij. Kryegjyqtari thotë se vendimi i arsyetuar KPK-së lë shumë për të dëshiruar, ndaj ka vendosur të ankimojë Kolegj. Kolegji i Apelimit ka caktuar trupën gjykuese me në krye Luan Daci, Albana Shtylla relatore si dhe me anëtarë Ardian Hajdari, Ina Rama dhe Natasha Mulaj për shqyrtimin e çështjes së Arben Zefit.
Burimi: https://shqiptarja.com/lajm/ekskluzive-rrefimi-i-pazakonte-i-kryegjyqtarit-te-shkodres-me-mire-te-me-thone-frikacak-se-sa-te-me-shkarkojne-e-perceptojne-si-i-korruptuar