Kudo qofsh në botë, kur të mos kesh askënd për të përqafuar, mbaj në mëndje ditën më të lumtur tënden, rikujtoje cdo detaj dhe gëzoju ndjesisë, nuk ka emocion më të bukur se sa të dish që dikush në atë moment është pikërisht me ty, tek ty!
Aty ku je tani, me mëndjen sdi se ku, me zhurmën e brendshme e me trazirat e shpirtit, kujto dikë që të bën të lumtur, rikthehu tek ngjarjet që ndezën tek ty dëshirën, përjetoje edhe njëherë ndjesinë, merr kohën të ndjesh se dashuria është brenda teje, me ty, tek ty!
Në një ditë bosh, mbushe shpirtin me dikë që me bindje e thua: do të jetë gjithmonë pika ime e dobët. Vlerëso kohën që keni ndarë bashkë, ule shpirtin në tokë edhe pranoje që e ke dashur fort. Rendit me mëndje të gjitha arsyet pse një zemër si e jotja e mbante zemrën e dikujt që u kthye si shtëpi për gjumë të ëmbël.
Kudo që të jesh, ji ti!
Ato që vetëm vetes ja pranon, shquaja, ato që vetëm vetja ti pranon, dashuroi! Kujto se ke dashur fort, kujto sa fort të kanë dashur dhe lejoje veten të zhvishet nga krenaria, me këmbët zbathur, ndjej se si prekja e shpirtit ngjan me lëkurën që prek tokën.
Kudo që të jesh, ji ti!
E nëse sdo të kesh askënd për të dashuruar, qëndro i vetëm , në ato momente frymo rrahjet e zemrës që dikur ndizeshin për emocione, ti je i dashurueshëm, ishe dikur, je edhe tani. Për të gjitha dritat që rrugës u shuan, ndiz dritën tënde dhe beso se ëndrrat ndonjëherë vijnë edhe kështu, në shkëlqime të vogla yjesh, në hapa të ngadaltë e në emocione të ngacmuara.
Ne nuk jemi asnjëherë vetëm, ti e di, lumturia është ngjitëse e në ditë të tilla ktheja buzëqeshjen dikujt, ti je magneti i nje zemre tjetër që qëndron aty sepse tek cdokush mbeten copëza të atyre ndjesive që ne kemi lënë, mjafton një rikujtim e të kthen në botën që ishte natyrshëm e jotja.
Kudo që të jesh, sido që të jetë jeta jote, sado emocione të pazgjuara të kesh e heshtja të të rrethojë, në dobësi e në momente ku ndoshta ti nuk e di që je 1000 ndjesi brenda një dite, kudo qofsh në botë, kur të mos kesh askënd për të përqafuar mos harro, të dua shumë!
/desantila vatnikaj/