Për herë të parë, potenciali natyror i Shkodrës për të prodhuar çimento u zbulua gjatë pushtimit austriak, ku disa teknikë do të evidenton se në malin e Taraboshit kishte gurë nga të cilët mund të nxirrej lënda e vlefshme për ndërtim. Më vonë, disa tregtarë të Shkodrës do të ndërmerrnin inicativën për të mbledhur disa kampionë dhe për t’i dërguar për analizë laboratorike nga e cila rezultatet do të ishin pozitive.
Pozita gjeografike ishte e favorshme pasi mundësonte transportin përmes rrugëve detare në portet e vendit. Duke qenë se Buna ishte lumë i lundrueshëm dhe fabrika mund të ngrihej në breg të lumit, mbartja e produktit mund të bëhej me barkat e ulqinakëve me lehtësi në të gjitha skelat e Shqipërisë, me çmim të ulët.
Ky fakt evidentohet nga Mehdi Frashëri, në ciklin e artikujve të tij me titull “Si mund të lartësohemi ekonomikisht”, botuar te “Minerva” në prill të vitit 1934. Në këtë analizë, ai jep të dhëna se si u ngrit fabrika e çimentos ndërsa ndalet te disa problematika që shfaqen me prodhimin. Sipas tij, gjithçka ka ndodhur si rrjedhojë e një gabimi fillestar të themeluesve të aj.
Frashëri shkruan se çimentoja është një artikull që mund të prodhohet në Shqipëri me kushte të favorshme, jo vetëm për të mbuluar nevojat në vend por edhe për të eksportuar.
Ai jep të dhëna statistikore sipas të cilave në vitin 1929 janë importuar 227.281 kuintal çimento me një vlerë prej 1.242.796 franga ari.
“Grupi iniciator pasi nënshkroi një pjesë të kapitalit ia nisi punës por pa program, pa dijeni teknike dhe pa një studim paraprak dhe pa kuptuar nevojën e teknikëve të specializuar. Në vend që të angazhoheshin dy teknikë të aftë për kësi punësh, ata iu drejtuan një fabrike që prodhon makineri dhe i thanë se duan të hapin një fabrikë për prodhimin e çimentos, pa plan e pa studim. Në mes u përfshinë edhe komisionarë me duar jo të pastra të cilët pasi e gabuan grupin nismëtar dhe i hëngrën shumë të holla,i shitën vegla dhe makineri të një sistemi të vjetër dhe me dimensione të pamjaftueshme për një prodhim që s’mund të mbulonte shpenzimet, amortizonte kapitalin e përdorur dhe linte një fitim të pamjaftueshëm” shkruante Frashëri.
Në analizë, ai jep detaje interesante se si u gjend kapitali për ngritjen e fabrikës. Pas tregtarët shkodranë morën koncesionin për ngritjen e fabrikës së çimentos e formuan shoqërinë anonime të çimentos “Portland”, “të gjithë ata që kishin kursyer një kapital vrapuan të blejnë aksione”.
Për ngritjen e fabrikës do të investoheshin 700 milionë franga ari, një pjesë e të cilave do të ishin investim i tregtarëve e një pjesë tjetër e individëve të thjeshtë që kishin blerë aksione në kompaninë shqiptare. Sikurse dëshmon edhe fotoja bashkëlidhur shkrimit (marrë në ebay), një aksion i kësaj kompanie kishte vlerë 200 franga ari.
Inaugurimi dhe një incident që i rrezikoi jetën atë Gjergj Fishtës
Ceremonia e inaugurimit të fabrikës në Shkodër do të zhvillohej me 24 prill të vitit 1930. Revista “Leka” raporton se ceremonia do të ishte madhështore dhe e veçantë dhe në të do të merrte pjesë një numër i madh personalitetesh e qytetarësh të thjeshtë. Në këtë ceremoni do të mbante një fjalë përshëndetëse edhe atë Gjergj Fishta që vlerësoi veprën e shoqërisë së re që ishte krijuar. Por gjatë vizitës në ambientet e brendshme të fabrikës, një nga makineritë do të kapte rrobën e tij duke e dëmtuar fizikisht e duke i rrezikuar seriozisht jetën. Ky fakt evidentohet edhe në analizën e Mehdi Frashërit, si detaj i ceremonisë.
Zgjerimi i kapitalit
Fabrika do të niste normalisht prodhimin e fillesat do të ishin pozitive për aksionarët e kompanisë së çimentos. Megjithatë, sikurse evidenton Frashëri në analizën e tij, makineritë e vjetëruara e të papërshtatshme për zhvillimin e kompanisë do të bënin që ajo të prodhonte nën potencial e mirëmbajtja do të kishte kosto të lartë, çka ndikonte negativisht te fitime.
Për të rritur kapacitetin prodhues të fabrikës, këshilli administrativ i shoqërisë do të kërkonte zgjerimin e kapitalit. E në këtë rast, si aksionar i shoqërisë do të bashkangjitej Fazlli Ademi. Ky i fundit, për të përmirësuar gjendjen e fabrikës vendosi të hynte në shoqëri duke investuar 100 mijë franga ari.
Por sërish kompania nuk do të arrinte të performonte mirë e do të bllokonte punimet dy herë.
Në këto kushte në vitin 1933 një kompani gjermane (MIAG) do të shprehte interesin që të mbështeste fabrikën për të arritur kapacitetin e prodhimit 600 ton në ditë.
Nga ana tjetër, edhe qeveria në vitin 1935 do të ndërmerrte lehtësi fiskale për të mbështetur funksionimin e fabrikës duke hequr taksat doganore për lëndët e para që nevojiteshin për përpunimin e materialit. Kapitali i fabrikës do të arrinte ne 1.2 milionë franga ari ndërsa prodhimi i saj do të arrinte që të përmbushte për kohën nevojat e vendit. fabrika do të vijonte aktivitetin deri në momentin e shtetëzimit pas Luftës së Dytë Botërore./Kreshnik KUÇAJ