“Gëzo o qiell, galdo o tokë, sepse Zoti po e ngushllon popullin e vet” (Is 49, 13)” me këto fjalë të shenjta ka zgjedhur që ta nisi fjalën e tij në virgjilje të të festës së Krishtlindjes arqipeshkvi i dioqezës së Shkodrës, imzot Angelo Massafra.

Imzot, Angelo Massafra, ka dhënë mesazhe të rëndësishme në këtë ditë feste duke u ndalur më së shumti tek pasojat që la pas tërmeti i 26-nëntorit.

” Megjithatë, edhe pse ka zbehur gëzimin e këtyre festave, nuk ka aq fuqi sa ta vrasë shpresën tonë.” tha ndër të tjera në fjalën e tij imzot Massafra.

Tërmetin ai e ka konsideruar si një shenjë për të reflektuar me qëllim që Shqipëria jonë t’i hapet një kohe ku interesi për të mirën e përbashkët të bëhet më i madh se ai për të mirën private.

“Kush e di nëse gjithë kjo rrëmujë shoqërore që jemi duke përjetuar në këtë moment nuk favorizon formimin dhe specializimin në artin e politikës të personave pa interesa personale, por me një dashuri të madhe për Atdheun, të gatshëm për t’u vënë në drejtimin e Vendit?” tha më pas Massafra.

Arqipeshkvi i dioqezës së Shkodrës, është ndaluar edhe tek largimet që po bëjnë të rinjtë ndërsa thotë se ky mund të jetë një rast që ata që qëndrojnë këtu , ta rishikojnë gjendjen ku kanë dhe t’i hapen një bashkëpunimi faktik mes qytetarëve dhe Shtetit për të përmirësuar realitetin ekzistues, duke ndalur këtë fluks.

Sipas Massafras gjithkush mund të kontribuoje për të bërë një Shqipëri më të mirë. Si fillim arqipeshkvi thotë se duhet të ndryshohen të gjithë ato qëndrime që e pengojnë Shtetit që të bëjë detyrën e vet: para së gjithash inati ndaj institucioneve, pastaj mendësia mafioze e shit-blerjes së favoreve, pasi një favor që bëhet është një akt padrejtësie që i bëhet dikujt tjetër: me fjalë të tjera, është ajo që quhet “korrupsion”.